Britania e madhe kthen në shtëpi jetimët anglez në Siri

Qeveria britanike do të kthejë në shtëpi tre jetimë britanikë që ndodhen në territoret siriane nën kontrollin e ISIS ditët në vijim.

Zyrtarë britanikë ndodhen tashmë në Siri dhe kanë marrë në dorëzim tre jetimët, prindërit e të cilëve, luftëtarë të ISIS, kishin humbur jetën në luftime.

Fëmijët ishin shpëtuar me ndihmën e trupave SAS, që kishin shoqëruar stafin e ministrisë së jashtme britanike, me mjete të blinduara.

Qeveria britanike më herët kishte përjashtuar mundësinë e kthimit në atdhe të qytetarëve britanikë të bllokuar në ish territoret e ISIS, mes të cilëve më shumë se 30 fëmijë që jetojnë në kampe dhe burgje të kontrolluara nga kurdët në Siri. Sidoqoftë, në një deklaratë për shtyp, sekretari i jashtëm britanik, Dominic Raab, tha:

“Këta fëmijë jetimë, të pafajshëm, nuk duhet të kishin qenë asnjëherë subjekt i tmerreve të luftës. Ne kemi ndërmjetësuar kthimin e tyre në shtëpi, sepse kjo ishte gjëja e duhur për tu bërë. Tani atyre duhet t’u garantohet privatësia dhe të lejohen të kthehen në një jetë normale.”

OKB i ka kërkuar vendeve të marrin përgjegjësinë për qytetarët e tyre dhe kthimin e tyre në shtëpi ku madje edhe të përballen me drejtësinë. Të tjera vende evropiane, kanë filluar riatdhesimin e qytetarëve dhe siç raportohet nga AFP një vogëlush 11 muajsh i një gruaje daneze të lidhur me ISIS u riatdhesua nga Siria të enjten. Gjyshërit e tij, qytetarë danezë, do të kujdesen tani për të. Sipas Human Rights Watch, më shumë se 1200 shtetas të huaj janë riatdhesuar nga Siria dhe Iraku në Kazakistan, Uzbekistan, Taxhikistan, Rusi, Kosovë dhe Turqi.