Britani, kërkohet votë mosbesimi për kryeministren May

Deputeti i Partisë Konservatore në Britani, Jacob Rees-Mogg, ka kërkuar votë mosbesimi për kryeministren e vendit, Theresa May, raporton Anadolu Agency (AA).

Rees-Mogg ka aplikuar për votë mosbesimi në grupin parlamentar të partisë përmes një letre dërguar “Komitetit 1922” të partisë, duke cituar si justifikim marrëveshjen e kryeministres May me Bashkimin Evropian (BE) për largimin e vendit nga unioni (Brexit).

Sipas rregullores së Partisë Konservatore, vota e mosbesimit në grup mund të realizohet në rast të aplikimit të 48 deputetëve.

Rregullorja po ashtu parasheh që kërkesat për votë mosbesimi të jenë të fshehta. Deputeti Rees-Mogg shpalli haptazi kërkesën e tij kundër May në një postim në rrjetin social Twitter.

Ndërkohë, siç thuhet, edhe deputetë të tjerë mund të kenë bërë kërkesë të ngjashme pa e njoftuar opinionin publik.

Ndryshe, katër dorëheqje ministrash kanë tronditur qeverinë britanike për shkak të marrëveshjes për Brexit-in të shpallur mbrëmë.

Në mesin e ministrave që dhanë dorëheqje janë ministri i Brexit-it Dominic Raab dhe ministrja e Punës Esther McVey.

Ndërkaq, në muajin korrik dorëheqje kishin dhënë ministri i atëhershëm i Brexit-it David Davis dhe ministri i Jashtëm Boris Johnson, kurse të premten nga detyra u tërhoqën edhe ministri i Shtetit përgjegjës për Transportin Jo Johnson.

Raab, Davis dhe Boris Johnson përmenden si kandidatë të mundshëm për ta zënë vendin e kryeministres May.