Brazili e nis mbarë

SAO PAULO, BRAZIL - JUNE 14: Philippe Coutinho of Brazil scores the opening goal from the penalty spot during the Copa America Brazil 2019 group A match between Brazil and Bolivia at Morumbi Stadium on June 14, 2019 in Sao Paulo, Brazil. (Photo by Chris Brunskill/Fantasista/Getty Images)

Brazili e ka nisur me këmbën e mbarë edicionin e 46 të Kupës së Amerikës, ku është edhe vend mikpritës, pasi arriti të fitojë me rezultatin e pastër 3-0, në sfidën hapëse përballë Bolivisë.

Pa Neymar, i cili u dëmtua një javë para startit të kompeticionit, ishte futbollisti i Barcelonës, Philippe Coutinho, ai që mori për dore skuadrën e Tites dhe pasi zhbllokoi rezultatin në minutën e 50’ me 11-metërsh, dyfishoi avantazhin 3 minuta më vonë.

Goli i tretë dhe i sigurisë për Brazilin, erdhi vetëm 5 minuta nga fundi, ku ishte sulmuesi që erdhi për të zëvendësuar Neymar, Everton, ai që dërgoi topin në rrjetën e portës së Bolivisë.

Sot në mbrëmje, në orën 21:00 do të përballen dy skuadrat e tjera të grupit A, Venezuela dhe Peruja, takim ky që ashtu si i gjithë kompeticioni, do të transmetohet në Supersport 2.

Më pas në mesnatë, në fushë do të zbresë Argjentina e Lionel Messit, që do ta startojë këtë edicion të Kupës së Amerikës, me sfidën përballë Kolumbisë, një takim që pritet të jetë mjaft interesant dhe emocionues.