Bosnjë e Hercegovina fiton çmimin e parë në garat e Kuranit në Kosovë

Medreseja “Alauddin” në Prishtinë, nën patronatin e kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, ka organizuar për herë të dytë garat e Kuranit ndërmjet medreseve të Ballkanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Garat të cilat u zhvilluan nga 1 deri më 3 tetor kanë përfshirë aktivitete në leximin e bukur dhe leximin përmendësh të Kuranit.
Sot në Medresenë “Alaudin” u mbajt takimi përmbyllës i kësaj gare, ku u ndanë edhe medalje e mirënjohje, nga të cilat më së shumti ka marrë Sanxhaku, Kosova, pastaj Bosnjë e Hercegovina.

Por, Bosnjë e Hercegovina e ka marrë çmimin kryesor me 16-vjeçarin Bilal Hamidoviç, nga medreseja “Gazi Husrev-Beut” në Sarajevë, në kategorinë kryesore, të këndimit përmendësh të 5 xhuzeve, apo 100 faqeve të Kuranit. Ai garonte për herë të parë në Kosovë.

“Ishte bukur, të gjithë janë të ndryshëm dhe kanë specifika dhe mënyra të ndryshme si në të mësuarit ashtu edhe në sjelljen e tyre. Të gjithë kanë qenë të mirë dhe ishte shumë bukur”, tha Hamidoviç për AA pasi mori çmimin të cilin ja dorëzoi myftiu Naim Tërnava.

Vendin e dytë në këtë kategori e ka fituar Ubejd Ademi nga Kosova, ndërsa vendin e tretë Mustafa Xhan Agirbash nga Turqia. Ndërsa, vendin e parë në kategorinë e njëjtë, të pesë xhuzeve, tek femrat e ka fituar Amire Derguti nga Kosova.

Drejtori i Medresesë “Alauddin” në Prishtinë, Jakup Çunaku, tha se gara ka për qëllim afrimin, njohjen dhe shkëmbimin e eksperiencave të nxënësve mes vete dhe me mësimdhënësit.

Çunaku tha se në këtë garë kanë marrë pjesë 8 vende të ndryshme, përfshirë medresenë e Kosovës, medrese nga Shqipëria, medrese nga Turqia, medrese nga Kroacia, Mali i Zi, Novi Pazari, Bosnjë e Hercegovina dhe Bullgaria.

“Gjithsej kanë marrë pjesë 40 garues-nxënës të shkollave të mesme fetare dhe janë të ndarë në katër kategori garimi si për gjininë femërore ashtu edhe për mashkullore. Kategoria e parë ka qenë përmendësh në Xhuzin Amme, xhuzin e 30-të nga Kurani Kerim. Njashtu kategoria e dytë ka qenë me tre xhuze nga Kurani Kerim, si për vajza ashtu edhe për djem. Dhe kategoria me pesë xhuze për të dyja gjinitë. Dhe kategoria e fundit lexim i bukur i Kuranit”, tha Çunaku.

Komisioni vlerësues i garave ka qenë në përbërje prej katër anëtarësh. Nga Dr. Emjad Sa’adeh – Jordani, Abdullah AlMuhib – Siri, Safet Hoxha – Kosovë dhe Aziz Alili – Koraci.

Pas përfundimit të garës, medresantët do të drekojnë në qytetin e Prizrenit si dhe do të bëjnë ekskursion nëpër Kosovë.

SHPËRNDAJE