Borussia Dortmund pezullon Dembelen për një kohë të pacaktuar

Klubi gjerman Borussia Dortmund njoftoi se mesfushori Ousmane Dembele, emri i të cilit përmendet me klubin spanjoll Barcelona, është pezulluar nga ekipi për një kohë të pacaktuar.

Në një deklaratë në faqen e internetit të Borussia Dortmund thuhet se Dembele i cili nuk merr pjesë në stërvitje është pezulluar deri në njoftimin e radhës.

Drejtori sportiv i klubit Michael Zorc tha futbollisti francez 20 vjeçar në rast se dëshiron mund të stërvisë në mënyrë individuale.

Pretendohet se Barcelona dëshiron që të transferojë lojtarin e Borussias në vend të Neymarit i cili u transferua në Paris Saint-Germain për 222 milionë euro.

Dembele në vitin 2016 u transferua në Borussia Dortmund nga Rennes për 15 milionë euro. Në 50 ndeshje shënoi 10 gola.