Bislimi: Lista Serbe duhet të na dokumentojë që e njeh Kosovën, taksën do ta rishqyrtojmë

Lista Serbe ende pa u certifikuar zgjedhjet ka bërë të ditur se për të qenë pjesë e qeverisë së ardhshme fillimisht do të konsultohen me Beogradin.

Por nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi thotë se qeveria e ardhshme mund të formohet edhe pa Listën Serbe.

Bislimi në një intervistë për EkonomiaOnine thotë se “Srpska”, para se të mendojë të bëhet pjesë qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, duhet të respektojë Kushtetutën dhe të dokumentojë që e njeh Kosovën dhe punon për të mirë e saj, transmeton Klan Kosova.

“Po mund të ketë qeveri edhe pa Listën Serbe. Kushtetuta thotë qartë neni 92.1 se qeveria e Kosovës duhet të qeverisë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Do të thotë që ne e njohim shtetin e Kosovës dhe punojmë për të mirën e këtij shteti. Lista Serbe duhet të na dokumentojë që e njeh shtetin e Kosovës dhe që do të veprojë për të avancuar interesat e Republikës së Kosovës. Ne nuk do të lejojmë që me buxhetin tonë të vijnë njerëz apo grupe të cilët punojnë për të shkatërruar shtetin e vet. Por në këtë konsulacion mendoj që secila palë e ka për obligim me qenë pak më fleksibil dhe kreativ. Me gjet një zgjidhje e cila në afatgjatë duket që ka qenë zgjidhja më e mirë”, thotë ai.

Nënkryetari i VV-së, thotë se qeveria e ardhshme nuk e ka për obligim të implementojë politikat e Qeverisë Haradinaj dhe në këtë aspekt Bislimi thotë se do të fokusohen në politikat dhe filozofinë e VV-së dhe jo të tjerëve.

“Haradinaj mund të thotë, po qeveria ime ka rënë, populli ka votuar për ndryshime, por ju vazhdoni me politikat e njëjta të miat. Ne mendojmë që politikat tona janë më kreative dhe më me peshë në rrafshin politik ndërkombëtar. Ajo që ne kemi potencuar disa herë është se ne mendojmë që taksa nuk është politikë e mjaftueshme në raport me Serbinë, mirëpo reciprociteti i plotë ekonomik e zgjidh këtë problem. Do të thotë ne do të trajtojmë çdo vendim ekonomik të Serbisë që ka dëmtuar ekonominë e Kosovës dhe për të cilin as BE-ja, as vendet tjera nuk kanë pasur vërejtje për Serbinë dhe do ta implementojmë njëjtë”, thotë ai.

Ai thotë se për vendosjen e taksës Haradinaj nuk e ka pyetur asnjë parti opozitare, por megjithatë thotë se fillimisht do të vendosin reciprocitet të plotë ndaj Serbisë, mandej do të shqyrtojnë çështjen e taksës.

“Në qoftë se Serbia nuk i ka njohur certifikatat e lëshuar në Kosovë dhe BE-ja e ka konsideruar këtë si diçka të rregullt, ne nga 1 janari nuk do ‘i njohim certifikatat e lëshuara nga Serbia dhe BE-ja nuk mund të thotë se në rastin e Serbisë është në rregull e në rastin e Kosovës jo. Mendojmë se në atë moment kur vendosim reciprocitet të plotë, pastaj mund të bisedojmë për heqjen e taksës dhe normalisht këtë do ta bëjmë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë”, thotë ai.

Bislimi thotë se qeveria e kaluar kishte mangësi edhe sa i përket politikës së jashtme, pasi që pretendon se personat që përfaqësuan politikën e jashtme nuk ishin kredibil dhe si të tillë dëmtuan marrëdhëniet ndërkombëtare.

Megjithatë thotë se në grupet punuese të dy partive VV-LDK nuk është diskutuar se kujt do t’i takojë ky dikaster. Për këtë ministri thotë se do të vendosin dy liderët politikë.

“Politika e jashtme është një prej fushave të cilat jemi dakorduar që ne mos ta trajtojmë si grupe punuese, për arsye se nuk flitet aty për alokime buxhetore dhe projekte kapitale, është më shumë politik. Rrjedhimisht jemi dakorduar që kjo të sqarohet mes dy liderëve politikë. Por në princip ne mendojmë se raportet ndërkombëtare duhet të ndërtohen mbi respektin e ndërsjellë. Pala kosovare në vazhdimësi ka qenë në defanzivë në rrafshin ndërkombëtarë për arsye se figurat kyçe politike që kanë përfaqësuar politikat e jashtme kanë qenë figura të diskredituara si brenda ashtu edhe jashtë dhe rrjedhimisht fuqia e tyre negociuese ka qenë minimale. Ne mendojmë se politika e jashtme duhet të jetë shumë kredibile, duhet të jetë konsistencë dhe të udhëhiqen nga persona që i bartin këto dy elemente”, thotë ai për EO.

Pavarësisht se presidenti malazez po deklaron se çështja e demarkacionit me Kosovës është temë e mbyllur, Bislimi thotë se ekziston një marrëveshje ndërmjet dy presidentëve që duhet respektuar.

Thotë se këtë çështje do ta marrin me prioritet, duke krijuar menjëherë grupet punuese.

“Presidenti i Malit të Zi nuk mund njërën anë të nënshkruajë një dokument ku dakordohet se do të pajtohet për krijimin e komisioneve të përbashkëta që rishikojnë dhe pastaj të thotë se s’ka çka rishikohet. Ai duhet ta sqarojë këtë deklaratë. Ne ende e kemi në dispozicion nënshkrimin e presidentit tonë dhe do të insistojmë të dy palët që sa më shpejt të krijojnë grupet punuese dhe atë që Haradinaj e ka premtuar dhe nuk e ka bërë pas momentit të nënshkrimit të demarkacionit ne do ta kërkojmë menjëherë”, thotë ai.

Nënkryetari i VV-së foli edhe për prioritet me të cilat do të merren menjëherë pasi që të formohet qeveria.

Thotë se tashmë kanë marrë disa vendime që do të jenë në të mirë të qytetarëve.

“Disa vendime ne i kemi marr ende pa ardhur në qeveri. Reduktimi drastik i numërimit të ministrive. Reduktimi për 70 për qind i numrit të zëvendësministrave. Premtimi për shtesat e fëmijëve, premtimi për heqjen e tatimit në të ardhura personale nën pagën prej 300 eurove, ndërtimi i 4 mijë banesave për rastet sociale. Këto janë premtime që do të mbahen dhe prej të cilave qytetari do ta ndjejë menjëherë përmirësimin”.

Bislimi thotë se ende pa ardhjen e tyre në qeveri, ka filluar të ndërrojë mentaliteti i administratës publike.

Madje thotë se janë adresuar mbi 20 ankesa të punëtorëve për shkeljen e të drejtave ndër vite.

“Luftimi i pakompromis i korrupsionit, centralizimi i prokurimit publik, janë masa që do të kenë efekt imediat në efiçiencë. Në fakt unë kam raportime që qysh tash ka filluar të ndryshojë mentaliteti i administratës publike. Psh kam informatë që në institucione të caktuara punëtorët të cilëve iu kanë shkel të drejtat me vite kanë marrë guximin dhe kanë bërë mbi 20 ankesa. Për arsye se tash kanë shpresë se ankesat e tyre do të trajtohen në mënyrë të drejtë. Pra mentaliteti ka ndryshuar pa ardhur ende ne në Qeveri”, thotë ai.

SHPËRNDAJE