Biri im! Islami është feja jote

0

Biri im!
Të gjitha rrugët të shpien tek Islami, nëse nijeti është i pastër dhe vendosmëria e plotë.Nuk e humbet rrugën vetëm se ai që është i verbër, nuk ka nijet të pastër dhe nuk është serioz në kërkimin e të vërtetës.

Biri im!
Flamuri i të vërtetës valvitet gjithmonë lart por atë nuk e shikon vetëm se ai i cili vendos ta ndjekë atë.

Biri im!
Mos e shiko Islamin si burg të lirisë. Ai është vetë jeta dhe i përshtatshëm për të gjithë njerëzimin.

Biri im!
Gjërat në origjinë janë hallall e të lejuara ndërsa feja të ndalon nga ato gjëra që janë të dëmshme për ty e të urdhëron për ato gjëra që janë të dobishme dhe të mira për ty.
Zgjidh lirinë tënde në këtë jetë si të dëshirosh por me kusht që të mos dëmtosh as veten e as të tjerët.

Biri im!
Nga kjo botë dy gjëra më preokupojnë: namazi dhe edukata. Namazi është lidhja ime me Zotin kurse edukata është baza e mirëkuptimit me njerëzit. Prandaj preokupoje edhe ti veten me këto të dyja sepse nuk ka preokupim më të mirë se më atë gjë të cilën Zoti është i kënaqur me të.

Biri im!
Largohu nga çdo ide që nuk ka rrënjë në Islam. Refuzoje çdo grupacion që si program të jetës nuk ka fenë e Allahut. Shmangu nga çdo njeri i cili i humbet të drejtat që ka ndaj Allahut dhe mos lejo që termat e injorancës të zënë vend në zemrën tënde.

Biri im!
Miku yt më i ngushtë le të jetë Kurani, i dashuri i zemrës I dërguari i Allahut, programi i jetës Islami dhe objektivi kryesor fitimi i kënaqësisë së Allahut!

PËRGJIGJU