Bima e kënasë dhe përdorimi i saj për shëndetin e flokëve

Produktet e Lindjes, preferenca e femrave

Gjithmonë e më shumë femrat po preferojnë të përdorin produktet kozmetike dhe trajtime që e kanë origjinën nga vendet e Lindjes, kryesisht nga India. Kjo sepse janë më “të shëndetshme” për lëkurën. Kështu kanë nisur t’i anashkalojnë edhe firmat më të mëdha perëndimore, lider në këtë fushë. Mbretëresha e produkteve të bukurisë, që vjen nga Lindja, është kënaja që përdoret për flokët, por edhe për vizatime të trupit. Përbëhet nga bimë natyrale dhe këna, e cila nuk i dëmton flokët.

Nuk është tamam bojë e përbërë nga kimikate të ndryshme, por një refleks. Të gjitha nuancat janë të mundura, nga e kuqja e zjarrit e deri tek e zeza sterrë. Më të kërkuarat janë nuancat e së kuqes, të cilat qëndrojnë më gjatë. Një këna e mirë e mbron flokun nga faktorët mjedisorë, si dhe i jep shumë shkëlqim. Kënaja konsiderohet si një nga produktet natyrore dhe tradicionale më cilësore dhe shumë e përdorur nga femrat, jo vetëm për shkak të përmbajtjes së saj bimore. Bima e kënasë kultivohet në disa vende, por veçohet India. Pjesët e ndryshme të bimës, si gjethet, kërcelli, lulet dhe frytet e saj përdoren për qëllime kozmetike dhe mjekësore. Bima e kënasë (el-hinna, al-khanna; lawsonia inermis) rritet në vende të nxehta dhe të thata me temperaturë prej 19-27°C. Bima është e gjatë prej 3-5 metra dhe prodhon lule të bardha, ngjyrë kremi dhe pak në të kuqe. Gjethet kanë formë eliptike 2-3 cm të gjata, kurse frutat janë të rrumbullakta dhe të kuqe dhe në të gjenden me qindra fara.

Përdorimi i kënasë në mjekësi

Vetitë shëruese dhe fitoterapeutike të kënasë në mjekësinë arabe kanë pasur përdorim të madh. Kënaja shëron vendet e djegura, përdoret në shërimin e të thatëve të gojës, stomatitis, dhe ënjteve të nxehta. Vënia e kënasë së zier në vendet e prera shëron plagën dhe mënjanon lagështinë e tepërt, si dhe stimulon rigjenerimin e indeve. Nëse gjethet e saj lihen në ujë gjatë natës dhe ky ujë i kulluar merret çdo mëngjes, për 40 ditë me radhë është efikas në shërimin e lebrës dhe të plagëve. Ibn Kajjimi, në bazë të eksperimenteve të tij, e përshkruan atë si një agjent të mirë shërues për djegiet. Nëse gjethet e thara të kënasë mbahen në rroba, ato shërbejnë si largues insektesh. Nëse aplikohet pasta e kënasë në thonj, lustra e thonjëve shtohet dhe nëse aplikohet në këmbë është efikase në sindromën e djegies së këmbëve. Vaji i përdorur nga vaji i ullirit dhe nga gjethet e kënasë është shumë efikas. Kënaja ndihmon, gjithashtu, në shërimin e variolës në stadin e saj fillestar. Balsami i kënasë mund të përdoret në shërimin e thyerjes, infeksionet, mirëmbajtjen dhe zbukurimin e thonjëve. Kënaja ndihmon në rritjen, bukurinë dhe volumin e flokëve, rrit freskinë rinore, përmirëson të shikuarit dhe është e dobishme në shërimin e kallove, puçrrave dhe të thatëve ndërmjet këmbëve. Në Malajzi kënanë e përdorin, duke i zier gjethet e saj dhe duke e pirë, kundër sëmundjeve reumatike ose çrregullimet e lukthit. Mjekësia moderne ka vërtetuar me anë të zbulimeve më të reja se në të gjenden përbërës si: naphthochinon, lawsone, tannin dhe të tjerë përbërës, të cilët ndihmojnë lëkurën e lyer me këna, që të djersitet më pak. Po ashtu kënaja ka veti edhe për mbrojtjen e lëkurës dhe të flokëve nga rrezatimet ultraviolete (UV) në mënyrë natyrore. Ditët e sotme kënaja përdoret me sukses shumë të madh në përgatitjen e shumë preparateve të kozmetikës nëpër botë, pa efekte anësore dhe pa toksina, të cilat mund të jenë shumë të dëmshme për trupin e njeriut. Kënaja përdoret edhe në formë kremi, pudre, shampoje, zbutësi flokësh, ngjyre, çaji etj.

Përdorimet e kënasë në kozmetikë

Për flokë të thatë dhe të dobët

Për të bërë pastën përzieni mirë pluhurin e kënasë me ujë të ngrohtë dhe një lugë gjelle lëng limoni ose uthulle në një tas çeliku që nuk ndryshket.

Nëse flokët tuaj janë të dëmtuar shtojini një vezë pastës së përgatitur. Nëse i shtoni pastës kafe ose çaj jeshil, do t’i bëjë flokët tuaj të shkëlqejnë. Veshni dorashkat dhe aplikoni vazelinë ose krem fytyre përreth ballit, veshëve dhe qafës. Në këtë mënyrë pasta e kënasë do të pastrohet më lehtë. Ndajini flokët në tufë të vogla. Aplikoni pastën e kënasë me një krehër me dhëmbë të hollë nga rrënja deri tek maja e flokut. Mos lini asnjë fije floku të pa lyer.

Për flokë të shpleksur (të kondicionuar)

Për flokë të yndyrshëm përzieni kënanë me 2 lugë gjelle kos dhe pak sheqer për të bërë pastën.

Për flokë të thatë përzieni kënanë me një lugë gjelle vaj ulliri dhe mjaftueshëm qumësht të ngrohtë për të bërë pastën. Aplikojeni te flokët dhe lëreni të veprojë për 15-20 minuta. Pastaj lajini flokët me shampo.

Për lyerje (ngjyrosje) flokësh

Lëreni pastën të veprojë derisa flokët ta kenë thithur ngjyrën (2-4 orë) dhe pasta të jetë tharë komplet. Për rezultat të shpejtë mund të përdorni tharësen e flokëve. Pastaj shpëlajini flokët me ujë dhe shampo, derisa uji të bëhet i kthjellët dhe pa ngjyrë. Thajini flokët me peshqir ose tharëse. Tani flokët tuaj janë të shndritshëm dhe të bukur.

Avantazhet

E mirë për rënien e flokëve.

I jep volum.

Forcon rrënjët e flokut.

I jep ngjyrë flokut thinjur.

E mirë për zbokthin.

E mirë për tensionin e lartë të gjakut dhe migrenën.

E dobishme për pacientët me zemër.

E mirë për rënien e flokëve.

Stimulon qarkullimin e gjakut.

Largon tensionet, shqetësimin, ankthin, lodhjen, pagjumësinë.

Për artin e duarve dhe të këmbëve

Kënaja mund të përdoret gjithashtu për vizatime në lëkurë, të ngjashme me një tatuazh të lëvizshëm, kjo njihet me emrin “mehndi”. Për të bërë vizatime me këna në lëkurë ndiqni këtë procedurë: përzieni pluhurin e kënasë mirë më ujë të ngrohtë ose më çaj të fortë të ngrohtë për të përgatitur një pastë të trashë. Mbulojeni pastën e kënasë dhe lëreni që të veprojë për 4 orë. Përziejeni pastën e kënasë me vaj kënaje ose me lëng limoni. Lani duart dhe këmbët me ujë dhe sapun dhe thajini mirë përpara përdorimit. Vendoseni pastën e kënasë në një kon plastik me një vrimë të vogël në fund, në mënyrë që të përpunoni modele. Lëreni që të thahet krejtësisht. Për rezultat të shpejtë mund të përdorni tharësen e flokëve. Më pas aplikohet një solucion me lëng limoni dhe sheqer te kënaja e tharë që të qëndrojë e mbërthyer në lëkurë. Kruani shtresat. Kjo metodë do të lërë një ngjyrë të kuqe të hapur që do të vijë duke u errësuar brenda pak orëve.

Shënim: Mos e lani kënanë në lëkurë për rreth 12 orë.

Për larjen e lëkurës

Aplikimi në trup ose në fytyrë i kënasë mund t’i japë një ngjyrim të kuqërremtë të lehtë. Në këtë mënyrë ju mund të shmangni përdorimin e kimikateve. Lëkura juaj nuk do të nxihet dhe nuk do të rrezikohet nga kanceri. Kënaja është një mbrojtës natyror kundër rrezeve të diellit dhe ju ndihmon në mbajtjen e një lëkurë të butë dhe të pastër. Aplikojeni kënanë në lëkurë në këtë mënyrë: përzieni pluhurin e kënasë me ujë të ngrohtë për të përgatitur një pastë të hollë. Lajeni trupin me pastën e kënasë. Shpëlajeni më pas trupin me ujë të ngrohtë.