BIK-u i vendosur: Projekti i Xhamisë së Madhe nuk ndryshon (Video)

Debati i krijuar rreth ndërtimit të xhamisë qendrore në lagjen “Dardania” në Prishtinë, është kryekëputë debat politik, thotë se zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Ahmet Sadriu, duke shtuar se institucioni i tij nuk heq dorë nga qëndrimet e mëparshme për këtë objekt.

Iniciatori kryesor i nismës për ndryshimin e arkitekturës së xhamisë së madhe, Yll Rugova, shprehet se objektet duhet t’u përmbushin disa kritereve të cilat definohen në planin e asaj lagjeje dhe se në asnjë formë nuk janë kundër ndërtimit të xhamisë qendrore.

Ndërkaq, doktori i shkencave islame, Mustafa Bajrami, nuk e konsideron të gabueshme formën e cila është përzgjedhur për t’u ndërtuar nga ana e BIK-ut.

Gurthemeli për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë ishte vënë në vitin 2012, nga krerët e atëhershëm të institucioneve kryesore të Kosovës: kryetari i Komunës së Prishtinës – Isa Mustafa; presidentja Atifete Jahjaga; kryeministri Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi.