BIK: Nuk kemi pranuar asnjë peticion për ndalimin e Xhamisë në Dardani

Peticioni me nënshkrimet e 30 personave të cilët po kërkojnë rishikimin e projektit për dhënien e lejes për Xhaminë e Madhe në Dardani, nuk ka shkuar në adresë të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Ahmet Sadriu, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se asnjë kërkesë, apo peticion përmes të cilit kërkohet mosndërtimi i Xhamisë në Dardani nuk ka arritur në BIK.

“Një informatë e tillë te ne ka ardhur vetëm përmes mediave, ne absolutisht nuk kem diçka kështu që na ka ardh ne, këtë e kemi dëgjuar, jemi informuar nga mediat, përndryshe ne nuk kemi asgjë në lidhje me këtë”, ka thënë ai.

Ai madje një pretendim të tillë e quan tendencioz dhe aspak të drejtë, ngase sipas tij, procedurat për ndërtimin e kësaj xhamie kanë qenë legjitime, transparente dhe konform ligjeve në fuqi.

“Është shumë e pa qartë kjo, është e pakuptimtë, e pa ndonjë domethënie kur ne e dimë se që nga viti 2012 aty është zhvilluar një zhvilluar një ceremoni zyrtare. Aty është vendos një gurthemel, aty kanë marrë pjesë të gjitha institucionet më të larta shtetërore ceremoninë e gurthemelit dhe sot pas pesë vitesh dalin me diçka të tillë dhe kjo është më shumë tendencioze se sa dicka që ka të bëjë me realitet”, ka thënë Ahmeti.

Për këtë projekt ai tha se është zhvilluar edhe një konkurs transparent ndërkombëtar me një juri profesionale dhe votim të drejtpërdrejt nga qytetarët prishtinas.

“Ne gjatë gjithë kësaj kohë, gjithë kësaj periudhe kohore ne kemi qenë në kontakt edhe me komunën, kuvendin komunal, normal i kemi zhvilluar të gjitha ato procedurat të cilat kërkohen rreth projektit, rreth dokumentacionit dhe ato i kemi përfunduar ne dhe i kemi dorëzuar në komunë. Kemi pritur që do të na jepet leja për fillimin e punëve dhe kjo është shtyrë me arsyetime të ndryshme”, ka thënë ai.

Ahmeti beson se ndërtimi i objektit të Xhamisë qendrore në kryeqytet do të nisë shumë shpejt.

Për këtë qëllim Ahmeti bëri të ditur se ditë më parë myftiu Tërnava zhvilloi një takim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nga i cili mori garancion se të premten e ardhshme, më 21 korrik në Kuvendin Komunal do të debatohet përkitazi me ndërtimin e kësaj xhamie.

Ai ka thënë se BIK-u pret që në këtë mbledhje të ketë një debat konstruktiv dhe më në fund t’i jepet fund këtij epilogu të stërgjatur.

“Pasoi edhe një takim me kryetarin e komunës që ishte këtu në selinë tonë dhe gjithashtu është biseduar  rreth kësaj çështje, rreth fillimit të punës së xhamisë dhe ai nga takim kryetari i kuvendit komunal i tha myftiut se do ta thërret asamblenë komunale që do të mbahet me 21 që i bie të premten tash që vjen dhe do të debatohet rreth fillimit të punës së ndërtimit të xhamisë qendrore këtu në Prishtinë. Ne po presim tash deri ditën e premte dhe epilogun se si do të përfundon kjo. Ne shpresoj shumë se aty do të debatohet në mënyrë konstruktive dhe do të mbizotëroj arsyeja”, ka thënë ai

Gurthemeli për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë ishte vënë me pompozitet, në vitin 2012, nga krerët e atëhershëm të institucioneve kryesore të Kosovës – presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa.

Edhe pse për këtë objekt, Bashkësia Islame e Kosovës ka pronësinë, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti në prill të këtij viti pat thënë për Ekonomia Online se ky objekt fetar nuk parashihet me asnjë dokument ligjor.

“Duhet kuptuar se ne japim leje sipas dokumenteve Planit Zhvillimor Urban dhe Planit Rregullativ. Në asnjërin nuk është e paraparë që xhamia të ndërtohet aty”, thotë ai.

Madje ai në atë kohë kishte paralajmëruar “debat publik” për ndërtimin apo jo të kësaj xhamie.

Një “grup qytetarësh” të përbërë edhe nga anëtarë të shoqërisë civile pretendon se ka dërguar një kërkesë në adresë të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës.

Kërkesa e shtruar ka të bëjë me rishikim të projektit për dhënien e lejes për objektin fetar në lagjen Dardania.

Sipas tyre xhamia e cila pritet të ndërtohet nuk është në harmoni me objektet e zonës dhe se objekti nuk është në përputhje me kriteret e konkursit.

E ky “debat” u konsideruar i panevojshëm nga shumë personalitete të ndryshme në vend, duke përfshirë edhe KMDLNJ-në.