BE thirrje Izraelit t’i japë fund vendbanimeve ilegale në Bregun Perëndimor

Bashkimi Evropian (BE) sot i bëri thirrje Izraelit t’i japë fund të gjitha vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor të okupuar, raporton Anadolu Agency (AA).

“BE i bën thirrje Izraelit që t’u japë fund të gjitha veprimtarive mbi vendbanimet, në përputhje me detyrimet e saj si një fuqi okupuese”, tha zëdhënës i BE-së në një deklaratë.

Zëdhënësi tha se autoritetet izraelite në tetor miratuan avancimin e mbi 2,000 njësive të banimit në vendbanime të paligjshme në Bregun Perëndimor të okupuar.

“Pozita e Bashkimit Evropian për politikën e vendbanimeve të Izraelit në territorin e okupuar Palestinez është e qartë dhe mbetet e pandryshuar: E gjithë veprimtaria e vendbanimeve është e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe ajo gërryen qëndrueshmërinë e zgjidhjes me dy shtete dhe perspektivat për një paqe të qëndrueshme, siç konfirmohet nga Rezoluta 2334 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha zëdhënësi.

Sipas deklaratës, BE do të vazhdojë të mbështesë një zgjidhje të negociuar me dy shtete.

Rreth 650,000 hebrenj izraelitë aktualisht jetojnë në më shumë se 100 vendbanime të ndërtuara që nga viti 1967, kur Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

Palestinezët i duan këto territore, së bashku me Rripin e Gazës, për krijimin e shtetit të ardhshëm palestinez.

E drejta ndërkombëtare i shikon Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor si “territore të okupuara” dhe i konsideron të gjitha aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve hebraike atje si të paligjshme.