BE, luftë plastikës. Masa kufizuese për përdorimin dhe taksë mbeturinave

Bashkimi Europian ka vendosur t’u shpallë luftë mbetjeve plastike. Në fokusin e tij janë produktet plastike njëpërdorimshe.

Gota, pjata, thika apo pirunë prej plastike, pastruese veshësh e plot objekte të tjera, që përdoren një herë, ndotin mjedisin dhe janë kthyer në një problem të madh, si për peshqit, ashtu dhe për qeniet e tjera të gjalla në dete dhe në oqeane.

Fakti që shumë prej tyre janë të zëvendësueshme e shtyn Komisionin të paraqesë në Bruksel paketën e masave që pritet të kufizojë – sipas “Deutsche Welle”-s, – edhe paketimet prej plastike të dyqaneve apo restoranteve.

Prodhuesit e paketimeve për dyqanet, të cilat ofrojnë “fast food” duhet të mbajnë kostot e riciklimit të mbeturinave, madje edhe atyre në oqeane, dhe të financojnë fushatat e edukimit mjedisor.

Masat përfshijnë ndër të tjera edhe planet e propozuara nga Komisioneri europian për Buxhetin, Günther Oettinger, lidhur me vendosjen e një takse mbi mbeturinat plastike, e cila sipas deklaratave të tij nuk duhet të rëndojë drejtpërdrejt mbi konsumatorët.

Taksa në fjalë mendohet të jetë 80 cent për kilogram mbeturinash plastike. Idenë e një takse e refuzojnë ndërkohë shumë vende anëtare të Bashkimit Europian, përfshirë edhe Gjermaninë.