Bashkësia islame shqiptare bëhet pjesë e Këshillit Musliman në Gjermani

Këshilli Koordinues Musliman në Gjermani (KKMGJ), e cila ndërmerr hapa të rëndësishme drejt përfaqësimit të përbashkët dhe të barabartë të muslimanëve në vend, në përbërjen e saj do të pranojë anëtare të reja edhe atë, bashkësinë islame shqiptare, boshnjake dhe marokene, raporton Anadolu Agency (AA).

Këshilli Koordinues Musliman në Gjermani është një trup i përbashkët, i cili në vitin 2007 u themelua nga katër organizata muslimane në Gjermani, Këshilli Musliman, Unioni Islam Turk (DITIB), Aleanca e Qendrave Kulturore Islame (AQKI) dhe Këshilli Qëndrorë i Muslimanëve në Gjermani (KQMGJ).

Në takimin e anëtarëve të KKMGJ-së të mbajtur në Këln u diskutua për zgjerimin e këtij trupi dhe u soll vendimi për pranimin e anëtareve të reja të Bashkësive Islame shqiptare, boshnjake dhe marokene.

“Sot u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit me Unionin e Bashkësive Islame Shqiptare në Gjermani (UBISHGJ), Bashkësia Islame Boshnjake në Gjermani (BIBGJ) dhe Këshillit Qendror Maroken në Gjermani (KQMGJ), që ka të bëjë me hyrjen e tyre në kuadër të Këshillit Koordinues Musliman në Gjermani (KKMGJ)”, thuhet në deklaratën e KKMGJ-së.

Zëdhënësi i KKMGJ-së, Nuhan Soykun tha se me këtë vendim është bërë një hap shumë i rëndësishëm drejt përfaqësimit më të mirë të muslimanëve në Gjermani.

Është paraparë që të tre bashkësitë islame në korrik, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të KKMGJ-së edhe zyrtarisht të bëhen anëtare të Këshillit.