Basha: Kriminelët e kërkuar në Evropë shëtisin të lirë në Shqipëri

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka komentuar reportazhin e publikuar mbrëmjen e kaluar në televizionin italian “Rai3”, që fliste për trafikun e drogës në Shqipëri.

Basha u shpreh në një dalje për mediat se këtë vit sasia e kultivimit të kanabisit në vend është 5 fishuar. Kryedemokrati shtoi se krimi ka kapur të gjitha nivelet e qeverisjes në vend dhe ka mbështetjen e kryeministrit Edi Rama. Kjo ka bërë, sipas tij që kriminelët e kërkuar në Evropë shëtisin të lirë në Shqipëri

“Jam i tronditur nga dëshmitë e publikuara në Rai3. Sasia e kanabisit këtë vit është 5 herë më e lartë se vitin e kaluar. Krimi shqiptar ka ndërtuar celula në gjithë Evropën dhe Amerikën Latine. Organizatat shqiptare kontrollojnë gjithë trafikun e heroinës. Organizatat shqiptare janë kthyer në lojtarë të mëdhenj të trafikut, që e marrin në Evropë dhe e fusin në Shqipëri. Krimi shqiptar është zhvilluar për shkak të pandëshkueshmërisë. Krimi ka kapur të gjitha nivelet e qeverisjes dhe ka mbështetjen e të gjithëve. Kriminelët e kërkuar në Evropë shëtisin të lirë në Shqipëri. Kjo po e kthen Shqipërinë në një shtet të falimentuar, që kontrollohet nga krimi. Çdo gjë është e financuar nga paratë e drogës”, tha Basha.