Banorët e Jarabulus i gëzohen ardhjes së Kurban-Bajramit

Banorët e qytetit Jarabulus të Sirisë, i cili është qyteti i parë i pastruar nga organizatat terroriste DAESH në kuadër të operacionit “Mburoja e Eufratit”, pritën me gëzim Kurban Bajramin, raporton Anadolu Agency (AA).

Banorët e qytezës së vogël, pasi u pastrua nga terroristët dhe kontrollin e saj e mori Ushtria e Lirë Siriane, u kthyen në shtëpitë e tyre dhe ndjenë gëzimin e Bajramit për herë të parë pas 2.5 viteve.

Shumica e banorëve të Jarabulusit, namazin e Bajramit e falën në xhaminë Abul Hasan, një nga më të mëdhatë në qytet. Imami i xhamisë Abul Humem në ligjëratën e Bajramit theksoi se Jarabulusi tani është qytet i lirë, dhe apeloi për unitet dhe vëllazëri. Ai shprehu edhe kënaqësinë për numrin e madh të të rinjve në namazin e Bajramit. Pas namazit qytetarët e Jarabulusit i përcollën njëri-tjetrit urime për festën.

Imami i xhamisë Humem për AA tha se sot është ditë historike për qytetin e Jarabulusit, dhe shtoi se gëzimi për shkak të largimit të DAESH-it ndjehet jo vetëm në qytet, por edhe në fshatrat përreth.

“Terroristët e DAESH-it i kanë kthyer banorët tanë një shekull prapa. Ndaluan telefonat celularë dhe kompjuterët”, tha imami Humem, dhe me këtë rast falënderoi edhe Turqinë e cila, siç tha ka dhënë kontribut të madh për çlirimin e qytetit.

Banori i Jarabulusit Abu Casim theksoi se për herë të parë pas dy viteve i buzëqeshur ka ardhur në namazin e Bajramit. Ai theksoi se ndjesi të veçantë shkaktoi numri i madh i njerëzve në rrugët e qytetit.