Bahtiri: BE-ja po e kolonizon veriun me serbë nga Bosnja e Kroacia

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Agim Bahtiri ka reaguar për neglizhencës që sipas tij BE-ja e ka treguar në raport me kthimin e shqiptarëve në pronat e veta.

Sipas tij 13 mijë shqiptarë janë dëbuar me dhunë nga veriu i Kosovës dhe ende nuk janë kthyer, raporton lajmi.net.

“Për kthimin e shqiptarëve në veri është folur shumë edhe nga BE-ja, por asgjë nuk është bërë. Për më keq në veri ka nisur një projekt prej disa milionë euro i ashtuquajtur “Kthimi i qëndrueshëm – mbështetja dhe fuqizimi”, të cilin e financon Bashkimi Evropian, e që ka për qëllim kthimin e serbëve, por që realisht sikur edhe deri më tash do të kthehen serbë që asnjëherë nuk kanë jetuar në Kosovë, por të tillë që kanë probleme me banim në Serbi për shkak se janë me origjinë nga vendet tjera të ish Jugosllavisë”, shkruan Bahtiri.

Ky është postimi i plotë i tij në Facebook:

REAGIM I ASHPËR NDAJ BASHKIMIT EVROPIAN DHE QEVERISË SË KOSOVËS

Mbi 13 mijë shqiptarë të dëbuar me dhunë nga veriu i Kosovës, e veçanësisht nga pjesa veriore e Mitrovicës, akoma nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre, duke jetuar si refugjatë në pjesën jugore të qytetit dhe qytete tjera të Kosovës.

Kthimin e tyre për 20 vite me radhë e penguan strukturat kriminale serbe, qoftë përmes zyrtarëve të zgjedhur në institucione komunale në veri apo edhe përmes grupe mafioze që mbollën terror me veprimet e tyre që shkuan deri në vrasje.

Për kthimin e shqiptarëve në veri është folur shumë edhe nga BE-ja, por asgjë nuk është bërë. Për më keq në veri ka nisur një projekt prej disa milionë euro i ashtuquajtur “Kthimi i qëndrueshëm – mbështetja dhe fuqizimi”, të cilin e financon Bashkimi Evropian, e që ka për qëllim kthimin e serbëve, por që realisht sikur edhe deri më tash do të kthehen serbë që asnjëherë nuk kanë jetuar në Kosovë, por të tillë që kanë probleme me banim në Serbi për shkak se janë me origjinë nga vendet tjera të ish Jugosllavisë.

Përmes këtij projekti do të vazhdoj kolonizimi i veriut me serbë nga Bosnja Kroacia dhe Serbia, për ta ndryshuar strukturën etnike në këtë pjesë të Kosovës. Kjo është e turpshme, e patolerueshme dhe duhet të parandalohet.

Po ashtu fajtore për situatën e krijuar është edhe Qeveria e Kosovës, ministritë e së cilës të udhëhequra nga Lista Serbe kanë investuar miliona në veri për kthimin e serbëve, por që faktikisht përmes këtyre investimeve synohet kolonizimi i veriut.

I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që mos t’i mbyll syt përballë kësaj situate të krijuar sa nuk është bërë vonë, sepse durimit nga veprimet e tilla po i vjen fundi.