Azem Sylës i vazhdohet paraburgimi

Duke e konsideruar si të rrezikshëm në ndikimin dhe frikësimin e dëshmitarëve, si dhe mundësisë së ikjes jashtë vendit, prokurori i rastit, Danilo Ceccareli, i ka kërkuar trupit gjykues zgjatjen e paraburgimit për Azem Sylën edhe për tre muaj të tjerë.

Ndërkaq, gjykata vendimin për vazhdimin ose jo të masës së paraburgimit ndaj Sylës do të marrë gjatë ditëve në vazhdim, për shkak se ka një vendim valid, i cili e lë në paraburgim atë deri më 27 gusht.

Syla, i cili është i dyshuar nga Prokuroria Speciale si udhëheqës i një grupi kriminal në tjetërsim e pronave në mënyrë të kundërligjshme, vazhdon të qëndrojë në paraburgim që nga muaji prill.

Derisa procesi gjyqësor ndaj tij është në fazën fillestare, ku aktualisht janë duke u dëgjuar dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur në atë që quhet hetim i veçantë, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Lirimi i ish-deputetit të PDK-së, nga masa e paraburgimit sipas prokurorit të rastit nuk duhet të ndodhë.

Sipas tij, përveç që ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarët e rastit, Syla mund ta bëjë përsëritjen e veprës penale.

Prokurori gjatë kësaj seance në mënyrë permanente ka thënë se janë duke u frikësuar dëshmitarët e mbrojtur në këtë rast, si dhe dëshmitarët e tjerë të cilët nuk kanë dhënë fare deklarata në prokurori.

Ndërkaq, avokati mbrojtës i Azem Sylës, Tomë Gashi, ka thënë se gjatë kësaj seance i ka kërkuar prokurorit që të bëjë ngritjen e aktakuzës ndaj atyre që i kërcënojnë dëshmitarët, e jo kjo të përdoret si pretekst për vazhdimin e masës së paraburgimit për Azem Sylën.