Aviokompania gjermane pezullon fluturimet në Iran dhe Irak

Kompania gjermane e fluturimeve, Lufhansa, njoftoi se në kuadër të “masave preventive”, ka pezulluar fluturimet për në Iran dhe Irak dhe rutat që kalojnë në hapësirën ajrore të këtyre vendeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga kompania thuhet se bazuar në një kërkesë, ruta mbi hapësirën ajrore të Iranit dhe Irakut është ndryshuar dhe fluturimet përmes këtyre vendeve janë pezulluar si “masë preventive”.

Lufthansa njoftoi se fluturimi ditor Franfkurt-Teheran është anuluar dhe se nuk do të realizohet as fluturimi për në Erbil i planifikuar për të premten.

Ndryshe, një avion Boeing 737 i Linjës Ajrore të Ukrainës që po udhëtonte për në Kiev u rrëzua sot në mëngjes pak pas ngritjes nga Teherani, me çka të gjithë 176 personat në bord humbën jetën.

Më herët, Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së ndaloi kompanitë dhe pilotët të fluturojnë mbi Iran, Irak dhe Gjirin Persik.

Tensionet në rajon janë përshkallëzuar që kur gjenerali i lartë iranian Qasem Soleimani u vra në një sulm amerikan me dron javën e kaluar.

Ndërkaq, në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, Irani lëshoi dhjetëra raketa balistike në dy baza në Irak ku janë të vendosura forcat e ushtrisë amerikane dhe ato të koalicionit ndërkombëtar.