Autoriteti i Hekurudhave: Grenell s’na ka kontaktuar fare, në Veri qarkullojnë edhe trena ilegal të Serbisë

Përfaqësuesi Special i Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në një periudhë të shkurtër kohore ka shtyrë përpara Prishtinën dhe Beogradin drejt arritjes së dy marrëveshjeve në parim, një për linjën ajrore Prishtinë-Beograd dhe një për hekurudhat.

Megjithatë Grenell në këtë përpjekje të tij për marrëveshje hekurudhore Prishtinë-Beograd, nuk i ka kontaktuar fare Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave të Kosovës. Një gjë të tillë për Gazetën Express e ka konfirmuar Shkumbin Hyseni, anëtar i bordit të ARH-së. Sic dihet delegacioni që ka negociuar për këtë cështje është emëruar nga ish – Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj. Atje kishin udhëtuar Xhemë Veseli, drejtor i Departamentit të Transportit Tokësor, dhe Ramë Qupeva, drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore.

“ARH, nuk është kontaktuar nga asnjë institucion rreth kësaj çështje”, ka thënë Hyseni, i pyetur nëse janë kontaktuar nga emisari special i Trump për dialogun Kosovë-Serbi rreth marrëveshjes eventuale për linjën hekurudhore Prishtinë-Beograd.

Hyseni tutje ka thënë se kanë edhe mungesë të informacioneve se çfarë është diskutuar në Berlin rreth mundësisë për arritjen e marrëveshjes për hekurudhat.

Ai ka theksuar se hekurudha e Kosovës ka infrastrukturë hekurudhore vetëm në dy linja, e që sipas tij edhe bisedimet në Berlin kanë qenë të fokusuara në linjat Fushë Kosovë-Leshak dhe Fushë Kosovë-Merdare.

“Se pari, marrëveshja hekurudhore, akoma nuk është e nënshkruar. Janë zhvilluar bisedime por akoma nuk janë vënë firmat në marrëveshje. Duke qenë, se nuk jemi direkt të përfshirë në këto bisedime, kemi edhe mungesë të informacionit se si dhe çka është biseduar në Berlin. Duke ditur se momentalisht, hekurudha e Kosovës ka infrastrukturë hekurudhore që shpije në 2 pikë kalime kufitare hekurudhore (Leshak dhe Merdare), supozohet se bisedimet do të jenë të fokusuara në këto dy linja”, ka thënë anëtari i bordit të ARH’së për Express.

Ai tutje ka treguar se trajektorja Fushë Kosovë-Leshak është në gjendje më të mirë dhe mund të shfrytëzohet më lehtë për transport hekurudhor, ndërkohë për linjën Fushë Kosovë-Merdare thotë se ka disa dëmtime që kërkojnë kogja mjete finnanciare për t’u futur në funksion.

“Linja Fushë Kosovë-Leshak, është në gjendje më të mirë infrastrukturore dhe mund të jetë më e lehtë realizimi I transportit hekurudhor. Ndërsa linja Fushë Kosovë-Merdare, ka disa dëmtime të rrjetit dhe duhen intervenime që mund të kenë një kosto jo të vogël. Të dy këto linja, do të ishin në interes të zhvillimit të transportit që të hapen dhe të kemi transport ndërkombëtarë minimum në tri linja hekurudhore (2 me Serbinë dhe 1 me Maqedoninë)”, ka potencuar ai.

Shkumbin Hyseni gjithashtu ka thënë se pavarësisht që Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave është përgjegjës për çdo mjet lëvizë në hekurudhat e Kosovës nuk janë konslutuar fare nga institucionet e Republikës së Kosovës rreth diskutimeve që po bëhen për arritjen e një marrëveshje të mundshme për hekurudhën Prishtinë-Beograd dhe sipas tij një fakt i tillë është shqetësues.

“Duhet thënë se ARH, është institucion përgjegjës për dhënien e licencave, certifikatës së sigurisë dhe autorizimeve për operim të çdo kompanie hekurudhore, respektivisht çdo mjeti lëvizës në hekurudhë. Po ashtu, përgjegjësia për mbikëqyrje të tregut dhe vlerësimin e sigurisë hekurudhore I takon ARH-së, konkretisht departamenteve përkatëse në ARH. Duke qenë e tillë, edhe në proceset e ardhshme, çkado që ndërlidhet më ketë fushëveprim është në kompetencë të ARH-së, vendimmarrja. Duke u nisur nga këto, do të ishte e natyrshme, që në një mënyrë apo tjetër të ishin bashkërenduar veprimet mes ARH-së dhe institucioneve tjera. Ne, në çdo kohë kemi pasur gatishmerinë dhe do e kemi në vazhdimësi, për të kontribuar në çdo proces ku vlerësohet se mund të japim kontributin tonë. Por, përkundër kësaj, ARH-en, askush nga institucionet e Kosovës, nuk e ka kontaktuar për ketë çështje. Është për tu shqetësuar mos koordinimi mes gjithë akterëve për një çështje kaq më rëndësi, megjithatë, është vlerësim I institucioneve tona, konkretisht MIT-së në ketë rast, për veprimit që ka marrë”, ka potencuar ai.

Hyseni beson se institucionet e Kosovës do të jenë të përgjegjshme në rast të nënshkrimit të një marrëveshje eventuale për linjën hekurudhore Prishtinë-Beograd që sipas tij duhet të jetë në interes të Hekurudhave të Kosovës dhe Kosovës në përgjithësi.

Tutje anëtari i bordit te ARH’së thotë se Kosova assesi nuk duhet të nënshkruaj marrëveshje që do të cenonte sistemin aktual hekurudhor të Kosovës, ndërkohë thotë se gjithashtu kërkesë e Kosovës duhet të jetë edhe kthimi i një pjese të pronës së Hekurudhës që padrejtësish gjenden në Serbi.

“Ne besojmë se institucionet tona, janë  të përgjegjshme në veprimet dhe vendimet që marrin dhe shpresojmë se marrëveshja eventuale do të jetë në interes të Hekurudhës së Kosovës në veçanti dhe të Kosovës në përgjithësi. Kërkojmë që në asnjë mënyrë, mos të nënshkruhet asnjë marrëveshje që cenon sistemin aktual hekurudhor në Kosovë. Kjo do të duhej të ishte kërkesa minimale e Kosovës. Pa lënë anash edhe kthimin e mjeteve lëvizëse hekurudhore që janë pronë e Kosovës, por që padrejtësisht gjenden në Serbi”, ka shpjeguar Shkumbin Hyseni.

Ai tutje ka treguar edhe për gjendjen jo të kënaqshme në të cilën  gjendet sistemi i hekurudhave të Kosovës, që është duke vështirësuar edhe operimin dhe lëvizjen e trenave, sidomos në pjesën veriore të Kosovës.

Hyseni në këtë intervistë për Gazetën Express ka treguar se bllokada për funkisonim në pjesën veiore të Kosovës ka paralizuar transportin hekurudhor.

Ndërkohë thotë se në atë pjesë  nuk operon asnjë kompani e licencuar nga ARH’ja, por vetëm kompani ilegale që transportojnë udhëtarë. Për një gjë të tillë Hyseni thotë se e kanë ngritur zërin qysh në vitin 2017 ku kishin nxjerrë vendim për ndalimin e operimit të trenave të palincencuar, megjithatë thotë se një vendim i tillë nuk është respektuar në tërësi.

“Në përgjithësi, mund të themi se gjendja e hekurudhave të Kosovës, lënë për të dëshiruar. Ballafaqimi me sfidat politike, ekonomike e teknike-teknologjike, është barrë që po bartë mbi supe hekurudha sot. Kemi një problem jo  të lehtë në operim, me kufizimin e lëvizjes së trenave në veri të Kosovës. Kjo ka ndikim direkt në operimin dhe zhvillimin e transportit hekurudhor, sepse kjo bllokadë deri në një masë ka paralizuar transportin duke e pamundësuar zhvillimin e transportit transit nëpër Kosovë. Sot, në komunat veriore të Kosovës, nuk operon asnjë kompani hekurudhore e licencuar nga ana e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave të Kosovës. Andaj çdo operim në atë pjesë është I jashtëligjshëm. Sipas informatave jo zyrtare, atje operojnë trena ilegal për transport të udhëtarëve. Për operimin ilegal të trenave, ARH ka reaguar me kohë. Me datën 14.01.2017, ARH ka nxjerrë vendim për ndalimin e operimit të te gjithë trenave në Kosovës të cilët nuk janë të licencuar nga ARH-ja. Ky vendim, pjesërisht, në atë kohë është zbatuar, por sot e asaj dite, nuk është zbatuar në tërësi”, ka thënë Hyseni i pyetur për gjendjen e hekurudhave në Kosovë.

Përveç tjerash, Hyseni thotë se edhe buxheti i ndarë për  sektorin e hekurudhave është mjaft i vogël, gjë që pamundëson investime shumë të mëdha në rrjetin hekurudhor.

“Hekurudhat e Kosovës, konkretisht menaxheri I infrastrukturës hekurudhore në Kosovë, Ndërmarrja Publike “Infrakos” Sh.A., ka hartuar prioritetet e ndërtimit, riparimit, ri-modernizimit dhe rivitalizimit të linjave hekurudhore, sipas prioriteteve që kanë vlerësuar ata. Duke ditur që kemi të bëjmë më kosto mjaftë të lartë qoftë të ndërtimit të linjave të reja, qoftë në mirëmbajtjen apo riparimin e atyre ekzistuese, dhe duke ditur se buxheti për ketë sektor është mjaftë I vogël, atëherë edhe puna në ketë drejtim është e ndarë sipas prioriteteve dhe mundësive buxhetore. Duhet theksuar se tashmë ka filluar puna në rehabilitimin e Linjës së 10 hekurudhore Hani I Elezit-Fushë Kosovë (pjesa e parë) e që do vazhdohet pastaj deri në Leshak (pikë kufitare me Serbinë). Poashtu, edhe për disa nga linjat tjera, është duke u zhvilluar procesi i përgatitjes së dokumenteve bazike (studimi I fizibilitetit, koncept-projekti, apo edhe projekti final)”, ka potencuar anëtari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, Shkumbin Hyseni