Australia në zgjedhje për qeverinë e re

Australianët sot votojnë për të zgjedhur parlamentin dhe kryeministrin e ri. Rreth 16.5 milionë australinë janë të regjistruar me të drejtë vote në këto zgjedhje të cilat janë të detyrueshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Votimi ka filluar në ora 08:00 sipas kohës lokale dhe do të përfundojë në orën 18:00 në mbrëmje.

Të drejtë vote kanë qytetarët e moshës mbi 18-vjeçare, ndërsa ata që abstenojnë nga votimi do të gjobiten.

Parlamenti i Australisë ka 150 vende në Dhomën e Përfaqësuesve dhe anëtarët zgjidhen për një mandat 3-vjeçar.

Autoritetet australiane krijuan qendra të hershme të votimit që para tre javëve për ata që donin të votonin para ditës së zgjedhjeve. Deri më 13 maj, rreth 2.6 milionë qytetarë shfrytëzuan të drejtën e tyre të votës.

Votimi do të vendos nëse Partia Liberale konservatore e udhëhequr nga kryeministri aktual, Scott Morrison, do të vazhdojë mandatin e tij ose nëse Partia Laburiste e udhëhequr nga Bill Shorten do të marrë përsipër qeverisjen.

Në 12 vitet e fundit, në Australi kanë udhëhequr gjashtë kryeministra. Paqëndrueshmëria politike në një nga demokracitë më të vjetra në botë i atribuohet grindjeve të brendshme partiake.

Pas mbarimit të periudhës së votimit, së pari do të numërohen votat e Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa më pas edhe ato të Senatit, i cili numëron 76 vende.