Australi: Shiu fik disa vatra zjarri, akoma mbetet situata e jashtëzakonshme

Në Australinë e përballur me ferrin e flakëve, ndihma po vjen nga qielli: shiu që ka rënë në zonat kritike të prekura nga zjarri në Australi, ka ndikuar në uljen e temperaturave, por zyrtarët paralajmërojnë se moti i nxehtë do të kthehet sërish.

Shiu duket se ka qetësuar disi situatën në Sidnej, Melburn dhe në disa pjesë të Uellsit të Ri Jugor, ndonëse pritet që e enjtja të sjellë një tjetër rritje te temperaturave. 

“Nuk ka hapësirë për tu kënaqur”, ka thënë liderja e Uellsit të Ri Jugor, Gladys Berejiklian; duhet të vazhdojmë përpjekjet që njerëzit të jenë të sigurtë, ka shtuar ajo. 

Galeria Kombëtare e Australisë në Kanberra u mbyll sot për të “shmangur ndonjë rrezik për publikun, stafin dhe artin e prezantuar”. E njëjta gjë ndodhi dhe me Universitetin Kombëtar të Australisë. Vendi po përballet me zjarret më të ashpra prej një dekade, pasojë e temperaturave të larta dhe thatësisë së madhe. 

Ky vend tradicionalisht ka luftuar me zjarret, por këtë here ato janë konsideruar të jashtëzakonshme.Në fundjavë, kryeministri australian, Scott Morrison paralajmëroi se kriza mund të vazhdojë disa muaj.Të paktën 24 persona kanë vdekur që kur kanë nisur zjarret e para në muajin shtator./tch