Australi, rritet në 20 numri i të vdekurve nga zjarri

Një tjetër person ka vdekur, ndërsa zjarret masive përhapen drejt Bregut Jugor të Australisë, konfirmoi policia të hënën, raporton Anadolu Agency (AA). 

“Trupi i një burri u gjet të hënën midis një prone dhe një makine, që të dy ishin shkatërruar nga zjarri”, tha Policia e Uelsit të Ri Jugor në faqen e saj zyrtare. 

Trupi, i cili nuk është identifikuar, pritet të jetë i një burri 71-vjeçar, i cili u raportua i zhdukur në Bregun e Jugut. 

Policia dhe njësitë e shpëtimit kanë pasur vështirësi për të arritur në këtë zonë për disa ditë për shkak të zjarreve të rrezikshme masive.

“Një person tjetër mbetet i zhdukur nga Bombala afër kufirit të Victorias”, shtoi policia. 

Numri i të vdekurve nga zjarret ka arritur në 20, ndërsa vazhdon emergjenca, shtoi ai. 

Australia është përballur me një nga sezonet më të këqija në historinë e saj, duke shkatërruar qindra shtëpi, dhjetëra objekte dhe më shumë se 2,000 ndërtesa.

Zjarret filluan nga gushti dhe vazhdojnë të tërbojnë gjatë verës në hemisferën jugore. 

Edhe pse zjarret janë të zakonshëm në vend, këtë vit ato filluan në jug, në vend se në veri si zakonisht dhe deri më tani kanë djegur rreth 10 milionë hektarë tokë.