Arrestohet Ikballe Berisha që doli kundër SHBA-së pas vrasjes së gjeneralit iranian

Ikballe Berisha, kosovarja që doli kundër vrasjes së gjeneralit iranian, Qaseem Soleimani nga SHBA-të është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Këtë për lajmi.net e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut hoxha.

Ai ka thënë se arrestimi i Ikballe Berishës është kryer gjatë ditës së sotme, nga ku është ndaluar për 48 orë.

“Më datë 07.01.2020, Drejtoria Kundër Terrorizmit ne Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me PSRK-në dhe në bazë të urdhëresës nga organet kompetente te drejtësisë ka kryer bastisje ne lokacionin e të dyshuarës. E dyshuara është sjell për intervistim në Polici dhe me urdhër te prokurorit nga Prokuroria Speciale është dërguar në mbajtje për 48 (dyzet e tetë) orë, deri në vendim tjetër nga Gjykata kompetente”, ka thënë Hoxha për lajmi.net.

Themeluesja e një fondacioni fetar të sektit shija në Kosovë që ishte deklaruar kundër Amerikës dhe Izraelit ka thënë se gjenerali i vrarë iranian nuk do të vdes kurrë.

“Njerezit si ti nuk vdesin, por te vdekurit qe ecin mbi toke e qe mbajne gjak kriminile ata jane te vdekur por vetem frymojne per tu turperuar vet dhe kombin e vet kriminel”, kishte shkruar Huduti-Berisha.

Ajo llogaritet si person i dyshimtë pasi që ka lobuar në rritjen dhe avansimin e sektit Shija në Kosovë, si dhe duke qenë e afërt me zyrtarë të lartë fetarë e shtetërorë iranianë.

Ajo dhe burri i saj, Asllan Huduti, një biznesmen i patundshmërive, dyshohen se shpërndajnë idetë e këtij sekti.