Arrestohen pesë serbë, dyshohen për veprimtari kundër rendit kushtetues

Sipas Policisë deri më tani janë arrestuar pesë të dyshuar të nacionalitetit serb të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Mediat serbe kanë raportuar se janë arrestuar disa persona që kanë bërë trysni ndaj pjesëtarëve të FSK-së të nacionalitetit serb që të dorëhiqen nga kjo forcë por një gjë të tillë e mohon Policia.

“Policia e Kosovës përmes kësaj komunikate zyrtare, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, demanton disa mediume/portale serbe, të cilat deklarojnë se po realizohet një operacion policor ndaj disa ish-pjesëtarëve të FSK-së, dhe sqarojmë se këto janë vetëm disa supozime apo spekulime të mediave në fjalë”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia e Kosovës garanton të gjithë qytetarët pa dallim se veprimet e saj i bazon në Kushtetutën e vendit dhe legjislacionit në fuqi, përderisa operacioni policor është duke vazhduar në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet e drejtësisë.