“Arratisja për një nesërme më të mirë”

Përfaqësia e UNHCR-së dhe Qendra për menaxhim me kriza sot në Shkup hapën ekspozitën e vizatimeve me titull “Arratisja për një nesërme më të mirë”, vepër e çiftit sirian Shergo Musa dhe Nazil Abdulla, të krijuara gjatë qëndrimit të tyre në qendrën transitore të refugjatëve “Vinojug” në Gjevgjeli, raporton Anadolu Agency (AA).

Përfaqësuesi i UNHCR-së, Mohammad Arif në fjalën e tij tha se dëshirojnë të tregojnë një pjesë të vogël të talenteve dhe aftësive, që refugjatët i bartin në shtetet e tjera që ikin nga lufta. Sipas tij, refugjatët me arsimin, aftësitë dhe llojllojshmërinë e tyre, mund të sjellin pasurim të çmueshëm të fuqisë së punës në çdo shoqëri.

Arifi falënderoi autorët e vizatimeve Shergo dhe Nazli, për të cilët tha se, transmetojnë një rrëfim për atë nëpër çfarë kanë kaluar dhe kalojnë në rrugën e tyre larg shtëpisë. “Këto nuk janë vetëm fotografi, këto nuk janë vetëm vizatime, por këto fotografi tregojnë rrëfimin për atë nëpër çfarë kaluan ata, nëpër çka kalojnë dhe vështirësitë me të cilat përballen këtu. Çdo vizatim në mur tregon një episod të një rrëfimi për një kohë reale, nëpër të cilën ka kaluar kjo familje dhe të gjitha familjet e tjera”, theksoi Arifi.

Drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, Agron Buxhaku në fjalimin e tij mes tjerash porositi se duhet kundërvënie ndaj ksenofobisë dhe urrejtjes, që dominojnë këto ditë në lajme dhe opinion, me art, humanizëm dhe mirësi.

Sipas tij, kjo është mënyra më e mirë që t’u ndihmohet Shergo, Nazli, dhe familjes së tyre dhe të gjithë refugjatëve të botës, që të jenë të sigurtë dhe të ndjehen të mirëseardhur në Maqedoni.

Për të pranishmit foli edhe Shergo Musa, i cili falënderoi të gjithë personat që ndihmuan në këtë rrugë të tyre, si dhe në realizimin e kësaj ekspozite. “Thuajse një vit qëndrojmë këtu dhe me të vërtetë falënderojmë të gjithë ata që na ndihmojnë në kushte të tilla kur prindërit tentojnë t’i shpëtojnë fëmijët e tyre, ku me të vërtetë nevojitet tërë ndihma”, tha Musa.

Ai është baba i tre fëmijëve, ndërsa së bashku me bashkëshorten e tij Nazli Abdu realizuan këto vizatime gjatë qëndrimit në qendrën e pranimit. Çifti përmes vizatimeve tregon problemet me të cilat janë përballur në rrugën e tyre drejt të nesërmes më të mirë. Ekspozita mund të vizitohet deri më 25 janar të vitit 2017 në Kinotekën e Maqedonisë, ndërsa vizitorët do të mund të blejnë edhe ndonjë nga vizatimet.

SHPËRNDAJE