Apeli i Policisë së Kosovës për qytetarët në festat e fundvitit

Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët e vendit, që të respektojnë dispozitat ligjore, të respektojnë shenjat e trafikut, të ju përmbahen kushteve të rrugës si dhe të mos drejtojnë automjetet nën ndikim të alkoolit.

Përmes një komunikate për media, po ashtu PK-ja apelon tek ç’do prind që të jenë më të kujdesshëm dhe më vigjilentë në parandalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike sidomos nga fëmijët, me qëllim të shmangies së rrezikut që mund të shkaktojnë mjetet plasëse, fishekzjarrët ku si pasojë e mospërdorimit adekuat të tyre vite më parë janë evidentuar incidente me pasoja të rënda.

Njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës vlerëson se nga aspekti i rendit dhe sigurisë publike, festat fund-vitit, përmbyllja e këtij fund-viti dhe fillimi sa më i mbarë i vitit të ri 2020, është prioritet i yni dhe kjo mund të arrihet vetëm me një përkushtim dhe vigjilencë të të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të vendit tonë.

Sikurse edhe viteve të kaluara Policia e Kosovës edhe këtë vit për festat e fund-vitit ka përgatitur urdhrin operativ “Fund Viti – 2019 dhe fillimi i 2020” për të ofruar siguri, rend dhe qetësi publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Qëllimi i këtij planifikimi dhe angazhimi të Policisë së Kosovës, është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike në mbarë vendin, shtimi i prezencës policore në rrugë dhe ambiente të hapura, në sheshe e lokacione ku ka frekuentim të qytetarëve, parandalimi dhe luftimi i dukurive negative dhe akteve të ndryshme kriminale, si dhe parandalimi i rasteve të mundshme të natyrave të ndryshme.

Po ashtu pjesë e planit është edhe shtimi i prezencës policore në komunikacionin rrugor me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe incidenteve të mundshme në trafik, andaj Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët e vendit, që të respektojnë dispozitat ligjore, të respektojnë shenjat e trafikut, të ju përmbahen kushteve të rrugës si dhe të mos drejtojnë automjetet nën ndikim të alkoolit.

Po ashtu PK-ja me theks të veçantë apelon tek ç’do prind që të jenë më të kujdesshëm dhe më vigjilentë në parandalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike sidomos nga fëmijët, me qëllim të shmangies së rrezikut që mund të shkaktojnë mjetet plasëse, fishekzjarrët ku si pasojë e mospërdorimit adekuat të tyre vite më parë janë evidentuar incidente me pasoja të rënda.

Në të kundërtën Policia e Kosovës do të ndërmarr të gjitha veprimet e menjëhershme ligjore kudo që vëren se janë përdorur armë apo mjete tjera të kundërligjshme.