Anulohet ‘kurdisja’ 9 milionëshe për laptopë

Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) e ka anuluar për herë të dytë tenderin në vlerë 9 milionë euro për furnizim me laptopë dhe pajisje të tjera të teknologjisë informative.

Si autoritet kontraktues, AQP e ka anuluar këtë tender për shkak se ka vlerësuar që specifikat teknike i janë përshtatur vetëm një prodhuesi, në këtë rast Lenovos.

Njëjtë si herën e parë, AQP përsëri e ka anuluar tenderin me të njëjtën arsye, edhe pse Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) kishte kërkuar që tenderi 9 milionësh të mos anulohet.

Paneli shqyrtues i OShP-së, duke u bazuar vetëm në konstatimet e ekspertit, duke mos i marrë parasysh arsyetimet e AQP-së, ka kërkuar që tenderi të rivlerësohet dhe se nuk ka kufizim të konkurrencës.

AQP ka bërë rivlerësimin e tenderit sipas vendimit të OShP-së në bashkëpunim me përfaqësues të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK) dhe Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (AShI).

“Konform vendimit të OShP-së, AQP  ka formuar një grup profesional nga organet kompetente, në këtë rast përfaqësues nga KRPP, AKK dhe AShI. Ky grup profesional ka vlerësuar se anulimi i këtij aktiviteti ka qenë i ligjshëm dhe i domosdoshëm. AQP pasi ka marrë mendimin profesional, në procesin e rivlerësimit edhe një herë e ka anuluar këtë aktivitet”, ka deklaruar për Gazetën JnK, Ekrem Rexha, drejtori i AQP-së.

Pas vendimit për anulim të tenderit, dy kompani kanë bërë kërkesë për rishqyrtim në AQP.n

Kompanitë që kanë parashtruar ankesë janë “Ilir Kosova sh.p.k” dhe “Botek”. Por AQP kërkesat e tyre i ka trajtuar si të pabazuara.

Drejtori i AQP-së, Ekrem Rexha ka thënë se deri tani nuk kanë informacione nëse ndonjë kompani është ankuar në OShP pas vendimit për anulimin e tenderit 9 milionësh për furnizim me laptopë dhe pajisje të tjera të teknologjisë informative.

Ai ka thënë se pas 11 nëntorit, që është dita e fundit për parashtrim të ankesës, AQP do të formojë një komision të ri dhe në konsultim me AShI-në do të hartojnë specifikimin e ri teknik të bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik (LPP).

“Pa lejuar elemente të mundshme të favorizimit apo diskriminimit”, ka deklaruar Rexha.

Më tej Rexha ka deklaruar se tenderi “i kurdisur” do të rishpallet.

“Skema e monopolit” 

Kompanitë “Infosoft Systems”, “Novus”, “PBC” dhe “ICT Storm”, të cilat janë shpallur të përgjegjshme nga AQP për tenderin 9 milionësh për furnizim me laptopë dhe pajisje tjera të teknologjisë informative, kanë konkurruar me të njëjtin autorizim për prodhimet e Lenovos.

Autorizimin për produktet e Lenovos për këto katër kompani e ka lëshuar “ITD Sh.P.K” dega në Prishtinë.n

“ITD Sh.P.K” dega në Prishtinë ka të njëjtin aksionar me kompaninë konkurruese në këtë tender, “Infosoft Systems”. “Investment joti – infosoft group” posedon 45.5% të aksioneve në kompaninë “Infosoft Systems” dhe 90 % të aksioneve në “ITD Sh.P.K” dega në Kosovë.

Në një letër konfirmimi që e ka pranuar AQP nga Lenovo në Zagreb, konfirmohet se “ITD Sh.P.K”, dega në Prishtinë, e ka të drejtën për të lëshuar autorizime tek kompanitë e tjera për prodhimet e saj.

“ITD Sh.P.K”, dega në Prishtinë, ka të drejtë të lëshojë autorizim tek kompanitë ose partnerët për shitjen, instalimin, mirëmbajtjen, shërbimin e këtyre pajisjeve të ofruara në këtë projekt për territorin e Kosovës”, thuhet në këtë letër konfirmimi.

Përfaqësuesi i AQP-së, Ekrem Rexha, në shkresën e dërguar OShP-së, ku ka kundërshtuar mendimin e ekspertit, përveç tjerash ka thënë se vazhdimi i këtij tenderi rrezikon të krijojë monopol.

Ai këtë konstatim e ka bazuar në një përgjigje që ka marrë nga kompania “ITD Sh.P.K”, dega në Kosovë, në të cilin konfirmohet lidhja e biznesit “Investment Joti – infosoft group” nga Shqipëria me biznesin “ITD Sh.P.K”, dega në Prishtinë.

“Sqarojmë se kompania ‘ITD Sh.P.K’, dega në Tiranë dhe kompania ‘ITD’, dega në Prishtinë, janë kompani të cilat kanë aksionar të njëjtë kompaninë “Investment joti – infosoft group” dhe ndajnë të drejtat e njëjta të distribuimit”, thuhet në përgjigjen e “ITD Sh.P.K”’, dega në Kosovë.

Këtë e ka vërejtur komisioni vlerësues në AQP, i cili ka vendosur që të anulojë tenderin për shkak se sipas tyre ky tender i është përshtatur vetëm një prodhuesi.

“AK-AQP vendos të ju besojë ekspertëve të IT që specifikat teknike kanë minimzuar konkurrencën e drejtë dhe si pasojë e kësaj të gjithë OE që i plotësojnë specifikat teknike ofrojnë në shumë raste produkt të njëjtë nga i njëjti prodhues dhe për më tepër vetëm një model edhe të atij prodhuesi”, thuhet në vendimin e AQP-së pas shqyrtimit të “kërkesave për rishqyrim” të bëra nga OE-të.

Në argumentimin e vendimit, AQP-ja thotë se specifikat teknike garantojnë konkurrencë të drejtë vetëm në njërin prej produkteve të kërkuara që nuk kishte shumë rëndësi, siç është monitori.

“AQP qëndron pas asaj që në këtë aktivitet të prokurimit ka ndodhur gabim në përpilimin e specifikave teknike duke ngushtuar tregun dhe duke diskriminuar brendet me shtrirje globale që njëkohësisht kanë shtrirje të madhe edhe në tregun e Kosovës”, thuhet në vendimin e AQP-së.

Historiku i tenderit kundërthënës

Më 9 gusht 2018 është publikuar njoftimi për kontratë për tenderin “Furnizim me pajisje të IT-së – ritender”. Vlera e parashikuar e kontratës është 9 milionë euro.

Më 31 gusht, AQP ka njoftuar se pranimi i tenderëve dhe hapja e tyre që ishte përcaktuar më 6 shtator është shtyrë për 25 shtator 2018. Kjo për arsye se operatorët ekonomikë kanë dërguar pyetje për sqarimin e dosjes së tenderit.

Ata kanë thënë se në pyetjet ne lidhje me kriteret administrative do të përgjigjen stafi i Agjencisë Qendrore të Prokurimit, ndërsa në lidhje me pyetjet për hartimin e specifikimeve teknike do të përgjigjen ekspertët nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit në kuadër të Ministrisë se Administratës Publike, “të cilët i kanë hartuar specifikat teknike në dosjen e tenderit”.

Më 18 shtator, AQP ka njoftuar se data e pranimit të ofertave është shtyrë përsëri. Tashmë nga 25 shtatori është shtyrë për 10 tetor.

Prej 12 operatorëve ekonomikë aplikues, vetëm 6 prej tyre janë kualifikuar.

Më 16 janar 2019, AQP ka njoftuar se operatorët që janë kualifikuar janë “Ilir – Kosova”  & “Comtrade Computers O.K.”, “Infosoft Systems”, “Novus” & “Cactus”, “Storm ICT L.L.C” & “Storm Computers D.O.O”, “Botek” dhe “PBC” Sh.P.K & S.D.S “Software Development Solution” & GDI Gisdata Dooel.

Më 28 janar, AQP ka vendosur që të anulojë njoftimin për vendimin e Autoritetit Kontraktues për Marrëveshjen Kornizë – Furnizim me pajisje të IT-së – ritender dhe ta kthejë në rivlerësim. Ky vendim ka ardhur pas ankesave nga 6 operatorët ekonomikë.

Duke iu përgjigjur 6 operatorëve ekonomikë të cilët janë ankuar, AQP ka marrë vendim mbi refuzimin e ankesës së “Europrinty” dhe ka i ka vlerësuar si pjesërisht të bazuara ankesat e pesë grupeve të operatorëve ekonomikë.

Si pjesërisht të bazuara ankesat e grupit të operatorëve ekonomikë “Tech Vision” & Ndërmarrja Tregtare Grafike “Blendi” & “More Technology”; Grupit të Operatorëve Ekonomik “Trio Tech” & “Artech” & “Astronik” & “Eramed”; Grupit të Operatorëve Ekonomik “Novus” & “Cactus”; grupit të operatorëve ekonomikë “PBC” Sh.P.K & S.D.S “Software Development Solution” & “GDI Gisdata Dooel” dhe grupit të operatorëve ekonomikë “Storm ICT L.L.C” & “Storm Computers D.O.O”.

Pasi tenderi është kthyer në rivlerësim, AQP ka kërkuar nga operatorë ekonomikë ta vazhdojnë vlefshmërinë e ofertës. Më 4 shkurt ata kanë kërkuar që të vazhdohet afati i vlefshmërisë për 90 ditë ndërsa më 17 maj për 60 ditë.

Rreth katër muaj pasi është marrë vendimi për kthimin në rivlerësim, më 5 qershor, AQP ka marrë vendim për anulimin e tenderit.

“AQP anulon këtë aktivitet të prokurimit pas konstatimit se specifikimi teknik është në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe si rezultat i kësaj është vendosur sipas Ligjit të Prokurimit Publik që të anulohet ky aktivitet”, thuhet në njoftimin e AQP-së.

Pas këtij vendimi, AQP ka marrë ankesa nga operatorët ekonomikë.

Më 14 qershor, AQP ka vendosur që t’i refuzojë si të pabazuara ankesat e operatorëve ekonomikë “Ilir – Kosova”, “Novus”, “Storm ICT L.L.C”, “Infosoft Systems”, “PBC”, “Tech Vision” dhe “Botek”.

“Vërtetohet njoftimi për anulim i AQP-së dhe AQP vazhdon më tutje me procedurën e prokurimit”, thuhet në njoftim.

Ndërsa më 21 qershor është marrë vendim mbi pezullimin e këtij aktiviteti të prokurimit pasi janë njoftuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit se kanë marrë ankesa nga operatorët ekonomikë në lidhje me këtë tender.

“Arsyeja e pezullimit është ankesa e operatorëve ekonomikë në OShP”, thuhet në njoftim.

Një tender për furnizim me pajisje të IT-së ishte shpallur dhe anuluar edhe dy herë të tjera. Më 26 shkurt të vitit 2018, AQP kishte publikuar njoftimin për kontratë për “Furnizim me pajisje të IT-së”. Vlera e parashikuar për këtë tender ishte 6 milionë euro. Më 20 prill të vitit 2018, ky tender është anuluar.

Tenderi për furnizim me pajisje të IT-së është shpallur përsëri nga AQP më 27 prill 2018. Tenderi “Furnizim me pajisje të IT-së – ritender”, me vlerë të parashikuar 7.8 milionë euro është anuluar më 14 maj 2018.

Kallxo.com/


SHPËRNDAJE