Anulohet konkursi për noterët në Kosovë

Ministria e Drejtësisë ka marrë vendim për anulimin e provimit për noternë.

Këtë  e ka bërë të ditur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përmes një konferene për media të mbajtur gjatë ditës së sotme, shkruan lajmi.net.

Ajo ka thënë se pagesat që kanë bërë kandidatët do t’u kthehen atyre.

“Sot kam marrë vendim që sot ta anuloj këtë proces. Pas konsultimeve me kabinetin tim, kam vendosur që ta anuloj provimin për noterinë, dhe pika e dytë e këtij vendimi është se të gjitha pagesat që janë paguar nga kandidatët do të kthehen. Kjo për faktin që të gjithë kandidatët që i janë nënshtruar këtij provimi kanë pasur shqetësimet e tyre. Konkursi për provimin e noterisë do të shpallet pas procedurave të brendshme, nuk do të vonohemi”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu në këtë konferencë për media ka bërë të ditur edhe dy vendimet tjera që ka marrë ministria të cilën ajo e udhëheq.

“Ne kemi shfuqizuar edhe vendimin për Komisionin për Zgjedhjen e Noterëve. Pra ne kemi shfuqizuar për emërimin e komisionit për dhënien e provimit të noterisë. Këto vendime shumë shpejtë do të jenë të gatshme për opinionin.  Ky vendim sot është sinjal i qartë, që procese të tilla siç kanë ndodhur në të kaluarën, nuk do të ndodhin”, tha ajo.

Haxhiu për konkursin e noterëve në fund tha se ka pasur edhe kandidatë të cilët janë përzgjedhur sipas meritave, por që sipas saj ka pasur tendencë që t’u lirohet hapësirë kandidatëve të caktuar pa merita.