Analizë në “The New York Times”: Një plan ofensiv për Ballkanin që SHBA-ja duhet ta mbështesë

Profesori i çështjeve ndërkombëtare në Universitetin Georgetown, Charles A. Kupchan, i cili është edhe anëtar i lartë në Këshillin për Marrëdhënie të Jashtme, ka publikuar një analizë të gjerë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në “The New York Times”.

Ai thotë se shkëmbimi i territoreve do të ishte një pastrim etnik paqësor, por të paktën do të sillte paqe afatgjate në Ballkan.Nëse palët arrijnë marrëveshje, sipas Kupchan, të gjithë duhet t’i përkrahin.

Ky është opinioni i profesorit amerikan Charles A. Kupchan i botuar në “The New York Times”:Një plan ofensiv për Ballkanin që SHBA-ja duhet ta mbështesëBallkani mbetet në paqartësi strategjike. Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia dhjetë vjet më parë, por Serbia ende nuk ka arritur të pajtohet me humbjen e saj – duke refuzuar të njohë Kosovën dhe duke nxitur probleme mes serbëve etnikë të vendit dhe shumicës etnike shqiptare. Gati dy dekada pas fushatës së bombardimeve të NATO-s për të dëbuar forcat jugosllave nga Kosova, rreth 4,000 trupa të NATO-s mbeten atje për të ruajtur paqen.Një avancim mund të jetë tani pranë jetësimit. Një avancim ky moralisht ofendues, por të cilin megjithatë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duhet ta mbështesin.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me sa duket po punojnë për një propozim për t’u angazhuar për një shkëmbim territoresh që mund të sjellë fundin e konfliktit të nxehtë. Veriu i Kosovës, i cili është i populluar kryesisht nga serbët etnikë dhe kufizohet me Serbinë, do t’i bartej Serbisë. Në këmbim, një pjesë e madhe e Luginës së Preshevës, e cila ndodhet në Serbi, e populluar nga një pjesë dërrmuese e shqiptarëve etnikë dhe që kufizohet më Kosovën, do të bëhet pjesë e Kosovës.Ky shkëmbim i territoreve përbën në mënyrë efektive një formë paqësore të spastrimit etnik. Megjithatë, është gjëja e duhur për t’u bërë.

Në këtë rast, pragmatizmi duhet të triumfojë mbi parimin për të siguruar një marrëveshje që premton t’i japë fund viteve të gjakderdhjes dhe ndryshimeve kufitare që kanë ardhur si pasojë e shpërbërjes së Jugosllavisë.Shkëmbimi i propozuar i territoreve fshihej në sfond që nga ditët e hershme të pavarësisë së Kosovës. Por, kjo çështje nuk ka lëvizur fare, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë kundërshtuar në mënyrë të palëkundur.

Siç pritej, kancelarja gjermane Angela Merkel së fundmi ka thënë se “integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor është vendosur dhe është i pacenueshëm”. Duke e mbështetur kancelaren Merkel, dhjetëra akademikë dhe politikëbërës të shquar në të dy anët e Atlantikut nënshkruan një letër të hapur, duke dënuar propozimin dhe duke kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ta kundërshtojnë “kthimin në etnifikimin e shteteve dhe kufijve”.Por, ka shenja se disa zyrtarë perëndimorë po e pëlqejnë këtë ide. John Bolton, këshilltari për siguri kombëtare i presidentit Trump, la të kuptohet muajin që shkoi: “Politika jonë, politika e SHBA-së, është që nëse të dyja palët mund të punojnë mes vete dhe të arrijnë marrëveshje, ne nuk i përjashtojmë rregullimet territoriale”, tha ai. Z. Bolton po mendon qartë, të paktën në këtë rrafsh. Përderisa qeveritë serbe dhe kosovare bien dakord për marrëveshjen – dhe mund të sigurojnë mbështetje të mjaftueshme politike tek qytetarët dhe legjislaturat e tyre – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropianë duhet ta mbështesin atë.Prej rreth dy milionë banorëve të Kosovës, afërsisht 90 për qind janë shqiptarë etnikë dhe rreth 6 për qind janë të përkatësisë etnike serbe. Është e vështirë të hasësh në numra të besueshëm, por rreth gjysma e serbëve të Kosovës – përllogaritjet e larta kapin numrin prej 70,000 – jetojnë në veri të Kosovës, ku ata përbëjnë rreth 90 përqind të popullsisë. Për shkak të shumicës serbe, veriu i Kosovës (rreth 10 përqind e territorit të vendit) ka qenë pjesë e shtetit vetëm nominalisht që nga pavarësia. Serbia ka vazhduar të ruajë ndikimin politik dhe ekonomik atje, duke ua lënë kështu kosovarëve një pjesë të konsiderueshme të shtetit të tyre që nuk ka interes t’i përkasë Kosovës së pavarur.Lugina e Preshevës në Serbi thuhet se banohet nga rreth 60,000 shqiptarë etnikë dhe është në përmasa të krahasueshme me veriun e Kosovës. Se sa pjesë të kësaj zone Serbia mund t’ia barte Kosovës është e paqartë.

Megjithatë, tregtimi i veriut të Kosovës për të paktën një pjesë të Luginës së Preshevës do të ruante gjerësisht madhësinë territoriale dhe popullsinë e tanishme të Serbisë dhe Kosovës.Qeveria serbe do të ketë vështirësi që ta bëjë njohjen formale të Kosovës së pavarur në çfarëdo rrethane. Kosova ka rëndësi historike dhe kulturore për serbët dhe objektet fetare serbe e pikëzojnë Kosovën. Por, nëse shkëmbimi i propozuar i ofron Serbisë për ta shpëtuar fytyrën e saj për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën dhe për të mundësuar që Ballkani të ecë përpara, kosovarët dhe mbështetësit e tyre ndërkombëtarë duhet ta përkrahin shkëmbimin me ngulm.Ç’është e vërteta, serbët që mbeten në Kosovë do të ishin një pakicë edhe më e vogël nëse veriu i bashkohet Serbisë. Në fakt, disa serbë me siguri do të largohen.

Transferime të pakëndshme të popullsisë pritet të ndodhin edhe në Luginën e Preshevës meqë shqiptarët etnikë lëvizin në zonat e destinuara për t’u bërë pjesë e Kosovës e të cilat serbët do t’i braktisin. Por, vendosja e marrëdhënieve formale mes Kosovës dhe Serbisë do t’i sjellë Kosovës një ndjenjë normaliteti dhe stabiliteti, duke inkurajuar ata serbë që mbeten atje për t’u angazhuar më shumë për të ardhmen e shtetit. Dhe deri më tani Kosova ka bërë një punë të pëlqyer për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.Kritikët e shkëmbimit pretendojnë se shkëmbimi do të shkaktonte një precedent të rrezikshëm në një kohë kur nacionalizmi etnik po rritet në Evropë dhe më gjerë. Në veçanti, shkëmbimi mund të nxisë thirrje në pjesë të tjera të Ballkanit për t’i ricaktuar kufijtë përgjatë vijave etnike. Mjaft e drejtë.

Ndjenjat separatiste midis serbëve etnikë në Bosnjë, shqiptarëve etnikë në Maqedoni apo pakicave gjetkë mund të forcohen.Por, askund tjetër në Ballkan nuk ka një rregullim konsensual të kufijve në tryezë. Nëse shkëmbimi i propozuar jetësohet, bashkësia ndërkombëtare duhet të theksojë se e mbështet atë si një përjashtim të jashtëzakonshëm.Në vend që të shkaktojë një përhapje të ndarjes etnike, normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës mund të bëjë të kundërtën. Serbia është lojtarja dominuese e rajonit. Ajo mund të shndërrohet nga të qenit një ngatërrestare e hidhëruar në një aktore të kënaqur. Ndihma e Serbisë do të ishte veçanërisht e mirëpritur në dekurajimin e Republika Srpska-s, rajonit të mbizotëruar nga serbët në Bosnjë, të krijuar në vitet 1990, nga kërkimi për t’u shkëputur. Efektet pozitive të pajtimit mes Serbisë dhe Kosovës edhe më shumë justifikojnë një sakrificë të njëanshme të parimeve pluraliste.Së fundmi, Bashkimi Evropian ka bërë të qartë se Serbia dhe Kosova duhet të normalizojnë marrëdhëniet nëse ato duan të anëtarësohen në BE – një hap që në një masë të madhe do të përmirësonte stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit. Shkëmbimi i paraparë i territorit sjell më afër këtë të ardhme më të mirë.Presidentët serbë dhe kosovarë kanë negociata të vështira para tyre.

Por, nëse z. Vuçiq dhe z. Thaçi mund t’ia dalin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duhet të përqafojnë marrëveshjen. Duke ofruar një drite jeshile tentative sot, Uashingtoni dhe Brukseli mund të ofrojnë inkurajim vendimtar dhe të ndihmojnë në sigurimin e mbështetjes publike për një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës.