Analistët thonë se ‘Srpska’ do të kthehet në Kuvend

Deputetët e Listës Serbe mund të zëvendësohen nëse për 6 muajt e ardhshëm nuk do të marrin pjesë në seancat e Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, analistët politikë vlerësojnë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë pasi që, sipas tyre, deputetët e partisë serbe do t’i kthehen punës së legjislativit.

“Unë nuk besoj se ata nuk do të përjashtohen, pasi që do të kthehen. Këtë e kanë si spekulim politik për të nxitur reagime të ndryshme, për ta hiberbolizuar këtë çështje që është elementare, shtetërore”, ka deklaruar për “Zërin” njohësi i çështjeve kushtetuese Riza Smaka, duke shtuar se deputetët e Listës Serbe janë instrumentistë të politikave të Beogradit.

“Unë po frikësohem se kryeministri Isa Mustafa do të bëjë koncesione për t’i joshur që të kthehet Lista Serbe, e cila do të ketë pasoja natyrisht. Këta nuk e kanë bërë aty për aty veprimin, por natyrisht me plan afatgjatë”, ka deklaruar Smaka.

Ndërsa ligjëruesi i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Vigan Qorrolli, thotë se përveç Kushtetutës, e cila rregullon prezencën e deputetëve në legjislacionin e vendit, edhe Kuvendi ka autorizim që të vendosë ndryshe.