Analistët: S’përjashtohet mundësia për rinumërim të tërësishëm

Pasi KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare subjektet politike kanë dërguar në PZAP 100 ankesa rreth rezultatit. Njohësit e çështjeve politike thonë se nëse këto ankesa janë të argumentuara mirë PZAP-i e Gjykata Supreme do të çojnë në rinumërim total. Mirëpo këtë mundësi e përjashton LVV-ja, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve politike, ka thënë se procesi i numërimit e i monitorimit ka kaluar mjaft në detaje. Sipas tij, janë trajtuar të gjitha dhe procesi është shteruar në kuptimin juridik dhe ligjor. Sipas tij, gjithçka varet nga ankesa e Nismës. “Mbetet të shihet ankesa e Nismës dhe e kandidatëve për deputetë. Mendoj që procesi është i pacenueshëm dhe mendoj që tani në këtë fazë me të drejtë ankesat bëhen dhe shpresoj të trajtohen sa më shpejt e të bëhet certifikimi sa më shpejt”. Baraliu tha se ka gjasa të vonohet certifikimi nëse ka kërkesa për rinumërim të tërësishëm. Sipas tij, nëse ka prova të mjaftueshme mund të shkohet në rinumërim total. “Ka gjasa të vonohet certifikimi nëse ka shumë kërkesa për rinumërim dhe për rinumërim të tërësishëm. Nëse PZAP-i sheh se ka prova, atëherë mund të urdhërojë rinumërim edhe në qendra të tjera, përveç atyre që janë rinumëruar”, ka thënë ai.

Ndërkohë, menjëherë pas shpalljes së rezultateve Nisma Socialdemokrate u deklarua se do t’i shfrytëzojë të gjitha instancat ligjore dhe kushtetuese për ankimim.

Florent Spahija, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se ankesa e Nismës është shkelje ligjore dhe jo kushtetuese. “Kjo që po kërkon Nisma është shkelje ligjore, nuk është shkelje kushtetuese. PZAP-i ka 72 orë nga momenti që merr një ankesë ta trajtojë. Pasi të shpallet vendimi, 24 orë kohë ka pastaj pala që ta dërgojë në Supreme, e cila ka 72 orë kohë për të vendosur”, ka thënë ai për gazetën “Zëri”.

Spahija tha se vonesat për certifikim varen nga vendimi që do të sjellë PZAP-i ose Gjykata Supreme lidhur me ankesat. Ndërkaq i pyetur se a ka gjasa të shkohet në rinumërim të tërësishëm, Spahija tha se ka gjasa. Sipas tij, e gjitha varet nga ankesa e subjektit politik. “Nëse subjekti politik ka arritur ta dëshmojë para PZAP-it, atëherë edhe PZAP-i s’ka si të vendosë ndryshe përpos rinumërim total”, është shprehur ai.