Analistët: Demarkacioni të marr epilog nesër, mosvotimi çon në rrëzimin e Qeverisë

Nesër pritet të jetë dita vendimtare sa i përket mbylljes së kapitullit për ratifikimin apo jo të demarkacionit.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, nesër pritet që ti japin epilog kësaj teme e cila tash e tri vite ka qenë bllokuese e shumë proceseve në vend, e konkretisht liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Mirëpo, edhe përkundër kësaj ende nuk dihet saktë nëse janë siguruar votat e duhura për kalimin e kësaj marrëveshje, ku për ratifikim të saj nevojiten 80 vota nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës.

Deri tani është thënë se koalicioni qeverisës PDK-AAK-Nisma së bashku me votat e LDK-së kanë siguruar 79 vota, por ende janë në kërkim të një vote.

Lexo po ashtu:
Matoshi: Numrat janë, të martën votohet demarkacioni
Matoshi: Numrat janë, të martën votohet demarkacioni
Votat kundër kësaj marrëveshje tashmë i ka deklaruar Lëvizja Vetëvendosje, dhe Lista Serbe, ku kjo e fundit ka thënë se nuk është që ju intereson edhe shumë çështja e demarkacionit.

E mos kalimi i kësaj marrëveshje nesër në Kuvendin e Kosovës, sipas analistëve do të jetë vazhdimësi e krizës politike në vend si dhe shkak për rrëzimin e qeverisë.

Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për Telegrafin se marrëveshja për shënjimin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, do të duhej të marr një epilog përfundimtar nesër.

“Ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin ka konsumuar shumë energji të institucioneve dhe të akterve politike dhe kishte qenë nevojë e jashtëzakonshme që të marrë një epilog përfundimtar nesër. Në të kundërtën mungesa e votës për ratifikimin e kësaj marrëveshje do të jetë vazhdimësi e krizës politike dhe institucionale edhe humbje e interesit të partnerëve ndërkombëtar për të ndihmuar dinamiken e nevojshme të zhvillimit të Kosovës”, ka thënë Kryeziu.

Lexo po ashtu:
Lekaj: Po të mos ishin numrat, nuk do të thirrej seanca për demarkacionin
Lekaj: Po të mos ishin numrat, nuk do të thirrej seanca për demarkacionin
Ai ka shtuar se rrëzimi i qeverisë ose zgjedhjet e jashtëzakonshme si pasojë e mungesës së votës për ratifikimin e marrëveshjes do të jenë më shumë pengesë edhe humbje e mundësive se sa situatë e re dhe e favorshme për ratifikimin e marrëveshjes.

Edhe analisti, Imer Mushkolaj ka theksuar për Telegrafin se nuk ka arsye që çështja e demarkacionit me Malin e Zi të zvarritet edhe më tej.

“Nesër do të duhej gjithsesi që çështja e demarkacionit të përmbyllet. Nuk ka asnjë arsye që kjo çështje të zvarritet më tej”, ka thënë Mushkolaj.

Ai ka shtuar se në rast se koalicioni qeverisës nuk i ka votat e duhura, atëherë sipas tij nuk ka arsye që të qëndrojnë në krye të shtetit.

“Nëse koalicioni qeveritar nuk ia ka dalë të sigurojë votat e nevojshme deri tash, atëherë vërtet nuk ka logjikë të vazhdojë më së qeverisuri, pasi që ka ardhur në pushtet me premtimin që do t’i zgjidhë të ashtuquajturat “tema të mëdha” e demarkacioni është njëra ndër to”, u shpreh Mushkolaj.

Ndërkaq kujtojmë se kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ditë më parë u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit jenë nesër në seancë dhe të votojnë pro marrëveshjes së demarkacionit, pasi sipas tij, nuk ka arsye të mos votohet Demarkacioni.