Amerikanët solidarizohen me migrantët: Të gjithë jemi muslimanë

Mijëra amerikanë në New York të SHBA-ve kanë mbajtur protestën me sloganin “Të gjithë jemi muslimanë” kundër një vendimi të mundshëm të presidentit amerikan Donald Trump në lidhje me kufizimin e hyrjes së muslimanëve në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Organizata më e madhe e shoqërisë civile të muslimanëve në SHBA, Këshilli i Marrëdhënieve Amerikano-Islame (CAIR) ka mbajtur një tubim dhe marshim pas lajmit se Trump do të nënshkruajë dekretin presidencial për vendosjen e kufizimeve në hyrjen e muslimanëve në vend.

Mijëra amerikanë të cilët janë mbledhur në parkun Washington Square në rajonin Greenwich Village të New Yorkut, kanë protestuar politikat e Trump-it kundër emigrantëve dhe muslimanëve.

Gjatë protestës protestuesit kanë brohoritur me sloganet “Jo Trump-it, jo KKK-së (The Ku Klux Klan), Jo SHBA-së fashiste”, “Thuaj me zë të lartë dha hapur: Refugjatë mirë se vini këtu”, “Të gjithë jemi muslimanë, të gjithë jemi emigrantë”, “Jo ndalesës, jo murit” si dhe kanë mbajtur në duar pankartat me mbishkrimet “Jemi në solidarizim me vëllezërit tanë muslimanë”, “Mos lufto me emigrantët, lufto me injorancën”, “Ky vend është themeluar nga emigrantët”.

“Jam këtu për të treguar se edhe unë jam musliman”

Në tubimin e realizuar me prezantimin e Drejtorit ekzekutiv të CAIR në New York, Afaf Nasher, ka mbajtur një fjalim anëtarja e Kongresit demokratja nga New Yorku Nydia Velazquez e cila ka thënë se “Refuzojmë politikat që do të çojnë prapa kombin tonë dhe do të shkaktojnë dhimbje”.

“Çdo njëri nga ne i ka parë fotografitë e fëmijëve në Halep. Na kanë copëtuar zemrat”, tha Velazquez, duke shtuar më tej se “Jam këtu për t’iu shprehur këtë natë, sot, dhe në të ardhmen vëllezërve të mi muslimanë se ‘Edhe unë jam muslimane‘”.

Pas anëtares së Kongresit amerikan Velazquez që është gruaja e parë me origjinë nga Porto Riko, kanë mbajtur nga një fjalim edhe drejtues të lartë të Bashkisë së New Yorkut dhe zyrtarë të organizatave të shoqërisë civile.

Kryetarja e Bashkisë së New York-ut Melissa Mark-Viverito në fjalimin e saj tha se “Jam këtu për të ngritur zërin tim në këtë rezistencë. Edhe unë jam pjesë e rezistencës. Kemi nevojë që të marrim energjinë e mirë të unitetit të marshimit të grave që u mbajt të shtunën e kaluar”.

Ndërsa kontrollori i New Yorkut Scott Stringer në fjalimin e tij tha se “Si një hebre, jam bashkë me komunitetin musliman. Sepse sot dhe çdo ditë jemi një popull në New York”.

Edhe avokatja publike e New York-ut, Letitia James në fjalimin e saj duke iu drejtuar të pranishmëve në tubim tha: “Me gjakun, djersën dhe lotët e emigrantëve dhe të refugjatëve e kami bërë këtë qytet edhe më të madh. Nuk do të mbyllim kufijtë tanë. Nuk do të mbyllin brigjet tona. Arsyeja që New Yorku është i madh është se ai ëshë qytet i emigrantëve dhe një qytet strehues. Çdo kërcënim kundrejt çdo grupi qofshin muslimanë, njerëz me ngjyrë apo hebre nuk ka rëndësi, ky është një kërcënim kundrejt të gjithëve neve”.

“Për solidarizim jam e gatshme të bëhem muslimane”

Edhe gruaja e parë si Sekretare amerikane e Shtetit Madeleine Albright, në një mesazh të sajin në Twitter ka shkruar: “Jam rritur si katolike, jam bërë peshkopate (Episcopalian). Më pas kam mësuar se familja ime ishte hebreje. Për solidarizim jam e gatshme të bëhem muslimane”.

Gjatë zgjedhjeve presidenciale regjisori amerikan Michael Moore me qëllim për të protestuar ndaj deklaratave anti-muslimane të Trump-it ka shkuar para “Trump Tower” duke mbajtur një pankartë me mbishkrimin “Të gjithë jemi muslimanë”.