Ambasadori i Turqisë mesazh urimi për përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar, me anë të një mesazhi ka uruar përvjetorin e 11-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në mesazhin e tij, Sakar, të publikuar në rrjetet sociale nga ambasada turke, ka uruar përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në emër të tij, kolegëve të tij si dhe përfaqësuesve të institucioneve turke në Kosovë. 

“Miqësia historike dhe marrëdhëniet vëllazërore mes Turqisë dhe Kosovës besojmë plotësisht se do te arrijnë një të ardhme më të fortë me përpjekjet tona të përbashkëta”, thuhet në mesazhin e ambasadorit turk. 

Ai më tej në mesazhin e tij ka theksuar se mbështetja e Turqisë për angazhimet e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe përpjekjet e saj për të formuar një shoqëri të begatë do të vazhdojnë në bazë të interesave të përbashkëta mes dy vendeve.

“Uroj edhe njëherë Ditën e Pavarësisë vëllezërve dhe motrave tona kosovare dhe dëshiroj edhe shumë të tjera në paqe dhe qetësi”, është shprehur ambasadori Sakar.