Ambasada Franceze në Kosovë: Ndryshimi i Ligjit për Automjete me pasoja për mjedisin dhe sigurinë rrugore

Ambasada e Francës në Kosovë, ka reaguar ndaj vendimit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik të Kuvendit të Kosovës, për rritjen e moshës maksimale të veturave të importuara, deri në 15 vjet.

Përmes një postimi në Facebook, përcjell Telegrafi, Ambasada ka thënë se ndryshim i Ligjit do të ketë pasoja serioze për ambientin dhe sigurinë rrugore.

“Ambasada e Francës në Kosovë shpreh keqardhje për vendimin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik të Kuvendit për të zgjatur periudhën maksimale të importimit të automjeteve nga 10 në 15 vjet. Nëse ky ndryshim i Ligjit miratohet së shpejti, do të ketë pasoja serioze për ambientin dhe sigurinë rrugore. Pajtohemi plotësisht me Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë për nevojën e respektimit të objektivave evropiane”, thuhet në reagim.

Edhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalyia Apostolova, ka thënë se një veprim i tillë do të ndikonte drejtpërdrejt në ndotjen e ajrit në Kosovë dhe është qartë kundër objektivave të BE-së.

Të mërkurën, Komisioni për Buxhet dhe Financa me shumicë votash kanë votuar kundër lejimit të importit të veturave më të vjetra se dhjetë vjet. Gjatë shqyrtimit të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Automjete dhe amendamenteve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, konsideron se paragrafi 1 nuk është trajtuar mirë dhe është i dëmshëm.