Aman – Mos më dhunoni përsëri!

Shkruan: Mehdi Mulaj

Marr guximin të dal në rrugë për të blerë pak ushqim për nevojat e shtëpisë. Sa arrij në shesh, ndalem dhe i shikoj njerëzit – më duket se të gjithë i kanë kthyer sytë drejt meje. Sikur më fajësojnë për ngjarjen që ma shkatërroj jetën dhe që ndodhi pa dëshirën time.

… dhe them më vete: Ç’ kërkoj unë këtu, pse i bezdis të tjerët! Dhe kthehem me vrap e mbyllem në shtëpi.

Sa shumë kam për të thënë për përjetimet e mia. Sapo bindem, i them vetes: Hesht, se askujt s’i intereson për ty! Dhe kështu, tash e njëzet vjet, i duroj shpërthimet e mëdha të vullkanit që kam brenda meje.

Mërzitem nga mbyllja në shtëpi dhe dal qorrsokakëve të qytetit, duke shpresuar që të mos i takoj njerëzit që i dua – për shkak të paragjykimeve, do të turpërohem para tyre. Sa shumë kam mall për ta.

Dal shpesh në parkun e qytetit, kam dëshirë t’i shoh njerëzit e lumtur, fëmijët duke lozur në lirinë e cila kaloi mbi kurrizin tim. Sa të bukur që janë. Më mungojnë!

… dhe kështu duke medituar, shtangem në ulësen e parkut si një shtatore e gdhendur. Ah sikur të isha shtatore, e të mos e ndjeja dhembjen e plagëve që kam.

Tash e njëzet vjet e harrova lumturinë, harrova takimet me njerëzit e mi dhe u burgova në vetminë time. Sikur ta kisha një njeri për t’ia rrëfyer të gjitha këto që kam brenda. Nga frika e paragjykimeve nuk arrij dot t’ia rrëfej as vetes.

Ju shoh se me sa lehtësi i përmendni gratë dhe vajzat e dhunuara. Me siguri jeni edhe gjakftohtë kur flisni për neve, sepse nuk e përjetuat në kurrizin tuaj. Neve na shihni si barrë dhe tepricë e shoqërisë.

… mos na dhunoni në paqe!

Nëse dëshmorët e dhanë jetën për lirinë e fëmijëve tanë, neve na morën dinjitetin, na çnjerëzuan, na vranë përjetësisht.

Prandaj mos na shikoni si lavire, por si dëshmore të gjalla, të cilat përjetuan tmerrin më të rëndë që pa bota e ashtuquajtur demokratike.

Por pse të çuditemi me juve, kur i përbuzni dhe i përvetësoni edhe vlerat e dëshmorëve! Duket se kjo temë u harxhua, e tash e keni kthyer kokën drejt nesh që t’i  keqpërdorni plagët tona për fushatat e juaja të pista.

Mos, mos ju lutemi, na lini të jetojmë me dinjitetin që e kemi, të cilin kurrë nuk e çmuat.

A keni menduar ndonjëherë se unë, e dhunuara, kam mundur të jem vajza jote, gruaja jote e nëna jote. Si do të më shikoje atëherë?!

Mbi kurrizin tonë ecët krenarë, kurrë pa e ndjerë thellë atë që e përjetuam. Na kthyet në memoriale turpi.

Ju e keni mbushur jetën me lumturi nga të gjitha anët – familja, paraja, luksi, pozita. E kur i keni këto, pse të mos jeni edhe mendjemëdhenj e përbuzës.

Ju me siguri shihni edhe ëndrra të bukura. Ne nuk i kemi as ato!

Por ta dini se ne do të qëndrojmë gjithmonë krenare e të pathyeshme, do t’i durojmë të gjitha shigjetat që do të na godasin, do t’i flasim të gjitha hapur, sepse krimi nuk vjetrohet.

… dhe do të shohim se në fund të kësaj historie përbuzëse, ne, të dhunuarat, do të dalim faqebardha, o ju faqezinj!

Kushtuar grave dhe vajzave të dhunuara nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, dhe kundër fushatave denigruese ndaj tyre.