Aliu: pas 23 tetorit secila shkollë në Vushtrri do të ketë nga një infermier

Kandidati për kryetar komune nga radhët e AKR-së, Nasuf Aliu, dje ka vizituar stafin e Qendrës së Mjekësis Familjare “QMF 1”, ku me këtë rast është pritur nga kryeinfermjerët, z. Mentor Hasani dhe znj. Nasrie Krasniqi, të cilët e kanë njoftuar atë me përparësit dhe të metat e kësaj qendre.

Sipas Aliut, “QMF1”, ka një numër të madh të njerëzve të cilët e frekuentojnë, por për kundër kësaj qendra ka një objekt të standardeve të larta me aparaturë modern, dhe një shërbim maksimal ndaj të sëmurëve.

“Si qendër primare e që ka numër të madh të njerëzve që e frekuentojnë, fatmirësisht ka një objekt që i plotëson standardet e larta me aparatura moderne dhe me një shërbim maksimal ndaj të sëmurëve, kishte po ashtu shumë funksional sistemin e informimit ku përgjegjës ishte Maliq Zeqiri.”-tha Aliu.

Aliu gjithashtu shtoi se duhet patjetër të ndërtohet një qendër kryesore e mjekësisë familjare, pasi ajo afër spitalit nuk është funksionale.

Ndërsa problem tjetër ishte edhe mungesa e stafit shëndetësor dhe vonesa në sjelljen e barërave esenciale.

Aliu thotë se pas 23 tetorit, do të planifikojnë buxhet ekstra në mënyrë që në çdo shkollë të ketë së paku nga një infermier për tu kujdesur për shëndetin e nxënësve.

“Pas 23 tetorit, ne si komunë do të hartojmë politika të atilla të cilat do të planifikojnë buxhet ekstra për sigurimin e barnave esenciale, po ashtu do të tentojmë të krijojmë politika që në çdo shkollë të ketë së paku nga një infermier për tu kujdesur për shëndetin e nxënësve, gjë e cila ishte edhe kërkesë e stafit.” – tha Aliu.

Stafi i “QMF 1”, ka gjithësej 50 veta të cilët punojnë me ndrrime.