Albin Kurti ultimatum LDK t’i propozojë 5 emra për ministra, si do reagojë Isa Mustafa

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje do të takohet sot me presidentin e Kosovës. E krejt kjo ka të bëjë me caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re.

Ndërsa VV dhe LDK nuk kanë arritur marrëveshje finale për krijimin e koalicionit qeverisës, Albin Kurti ka dalë me një video-mesazh ku ka prezantuar pesë emrat për ministra dhe ka kërkuar nga LDK t’i propozojë emrat e saj.

Nga ana tjetër ka konfirmuar se do të shkojë në takim me Hashim Thaçin pa pasur marrëveshje me LDK-në, shkruan lajmi.net.

Ndërkohë ka nisur edhe mbledhja e Grupit Parlamentar të LDK-së, ndërsa mbledhja e Kryesisë e kësaj partie është paraparë të mbahet në 14.30.

Këto takime, po zhvillohen për mundësinë e arritjes së koalicionit bashkëqeverisës me VV-në.

Ndërsa, në orën 15:00 sot pritet të takohen lideri i VV-së Albin Kurti me presidentin Hashim Thaçi për t’u konsultuar për mandatarin.

Kujtojmë se më 26 dhjetor është zgjedhur kryetari i kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca me mbështetjen e LDK-së.