Albin Kurti pranon mesazh urimi nga presidenti turk, Erdoğan

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar mesazh urimi nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, mbrëmjen e së martës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në mesazh thuhet se Presidenti Erdoğan beson që bashkëpunimi në mes të dy vendeve do të thellohet dhe se Turqia do ta mbështes popullin e Kosovës në të gjitha fushat.

Presidenti turk duke folur në emrin e tij personal dhe në emër të popullit i ka shprehur urimet “më të thella me rastin e krijimit të Qeverisë pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2019 në Kosovë”.

“Kam besim të plotë se me përvojën dhe përpjekjet tuaja të vlefshme në periudhën e ardhshme do të zhvillojmë më tej bashkëpunimin midis vendeve tona. Turqia, do të vazhdojë të mbështesë popullin e Kosovës në të gjitha fushat”, i ka shkruar Erdoğan – Kurtit, njofton komunikata.

Në fund të letrës së tij të cilën e ka pranuar Kurti, presidenti Erdoğan ka uruar “mirëqenie dhe prosperitet e popullit mik dhe vëlla të Kosovës”.

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, u zgjodh kryeministër me një shumicë parlamentare më 3 shkurt, pas disa muajsh negociata me partnerin në koalicion Lidhjen Demokratike të Kosovës.