Alarmohen britanikët: Brexit pa marrëveshje mund të zbrazë raftet e dyqaneve

Raftet e dyqaneve britanike do të jenë edhe më pak të mbushura në rast të Brexit pa marrëveshje, paralajmëruan disa zinxhirë supermarketesh, tashmë nën presion për shkak të luhatjeve që po përjeton aktualisht sektori i shpërndarjes.

Në një letër drejtuar deputetëve britanikë të publikuar sot, këto marka të mëdha paraqesin një tablo të errët të pasojave të largimit nga BE-ja pa marrëveshje, me një ndikim negativ në radhë të parë për konsumatorët.

Kjo letër e hartuar nga federata profesionale e shpërndarjes (British Retail Consortium, BRC) u nënshkrua më konkretisht nga sipërmarrësit e gjigantëve të supermarketeve ‘’Sainsbury’s’’ dhe ‘’Asda’’ e konkurrenti i tyre ‘’Waitrose’’ dhe dyqanet ‘’Marks and Spencer’’ , si edhe zinxhirët e ushqimeve të shpejta ‘’McDonald’s’’ dhe ‘’KFC’’, përcjell Atsh.

‘’Ne parashikojmë rreziqe të konsiderueshme që lidhen me ruajtjen e përzgjedhjes, cilësisë dhe jetëgjatësisë së produktit ushqimor që konsumatorët tanë presin të gjejnë në dyqanet tona’’, thuhet në shënimet e rrethit të biznesit.