Akuzohet se urdhëroi të vritet ish-futbollisti serb, ish-lojtari i Real Madridit mohon lajmet

Ish-mbrojtësi i Real Madridit, Raul Bravo, i ka mohuar pretendimet se ai është përgjegjës për urdhrin për vrasjen e ish-bashkëlojtarit të tij, Darko Kovacevic.

Në fillim të këtij muaji, ish-futbollisti Darko Kovaceciv – i cili kishte luajtur përkrah Raul Bravos në Olympiakos gjatë viteve 2007 dhe 2009 – u gjuajt me armë jashtë shtëpisë së tij në Athinë, transmeton Gazeta Express.

Kovacevic kishte arritur t’i shpëtoj këtij sulmi, mirëpo i kishte pësuar disa lëndime të vogla shkaku se ishte detyruar të gjuhet në dysheme për t’i shmangur plumbat.

Sipas The Miror, burrat që e kryen sulmin ishin arratisur nga vendi i ngjarjes përmes një veture, që më vonë u gjet e djegur.

Mediat serbe, prej nga vjen Kovacevic, e akuzuan Bravon për urdhrin për tentim-vrasjen, mirëpo spanjolli i ka mohuar këto spekulime.

“Një revistë në Serbi e raportoi këtë dhe unë isha i mahnitur që e lexova se ata kishin shkruar se unë e kam dhënë urdhrin për vrasjen e Darko Kovacevicit”, tha Bravo.

“E vetmja gjë që ka rëndësi për ta është të shesin sa më shumë revista dhe natyrisht se do të shesin më shumë kur thonë se unë tentova ta vras Kovacevicin. Është një histori e çmendur, s’ka fare kuptim”.

Vitin e kaluar, edhe Bravo e edhe Kovacevic u arrestuan gjatë “Operacion Oikes” – operacioni i policisë lidhur me hetimet për korrupsion në futbollin spanjoll.

La Gazzetta dello Sports spekulon se sulmi në Kovacevicin mund të jetë i lidhur me hetimet për kurdisje të ndeshjeve, mirëpo Bravo insistoi se mes atyre dyve nuk kishte asnjë problem dhe se ata kishin folur për atë që ka ndodhur.

“Do ta përsëris edhe një herë, marrëdhënia mes neve është e mrekullueshme. Ai lajm s’ka as kokë e as këmbë. Është një shpikje e çmendur. Ai nuk është futur në telashe dhe nuk e di pse ka ndodhur kjo gjë”, shtoi Bravo.

“Ai ka fituar shumë para nga futbolli… i kam thënë të qëndrojë i qetë. Në shtëpi, ata janë pak të frikësuar. Por, unë e di se Darko do të qeshte kur ta lexonte atë lajm. Më telefonoi për këtë pas dy ditëve’.

Bravo i bëri 133 paraqitje për Real Madridin gjatë gjashtë vjetëve të tij në kryeqytetin spanjoll, duke e fituar titullin e La Ligës dhe atë të Ligës së Kampionëve. Ai gjithashtu ishte i huazuar në Leeds United në vitin 2003 dhe i bëri gjashtë paraqitje në Angli.