Aktivistja norvegjeze: Akoma ruaj plumbin që më qëlloi ushtari izraelit

Aktivistja norvegjeze e të drejtave të njeriut Kristin Foss, e cila në dy raste u plagos me plumba gome nga ushtarët izraelitë gjatë protestave palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar, edhe përkundër kësaj ajo vazhdoi të japë mbështetje popullit palestinez dhe të luftojë kundër dhunës izraelite ndaj këti popullit, raporton Anadolu Agency (AA).

Foss aktualisht ndodhet në rajonin Han al-Amr në Kudsin Lindor të okupuar, ku dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarit të AA-së. Ajo theksoi se ka shumë arsye pse ka ardhur në Palestinë.

Foss në Norvegji katër vite ka qenë aktive në fushën e të drejtave të njeriut dhe si arsye e parë për ardhjen e saj në Palestinë përmendi faktin se pati rastin me sytë e saj të shohë se çfarë në të vërtetë ndodh këtu.

Në Palestinë ka ardhur që nga fillimi i korrikut të këtij viti. Në këtë periudhë ajo ndoqi një numër të madh protestash palestineze dhe u përpoq që zhvillimet e atjeshme t’i transmetojë në botë.

Në fillim të bisedës Foss, Marrëveshjen e Oslos, e cila në vitin 1993 u nënshkrua në mes Organizatës për Çlirimin e Palestinës dhe Izraelit, e karakterizoi si një “fiasko” të plotë, duke shtuar se beson se edhe vendi i saj, Norvegjia, është përgjegjëse për zhvillimet aktuale në Palestinë.

“Kam ardhur këtu për t’i treguar popullit palestinez se populli norvegjez është me ta dhe se ne nuk mbështesim krimet izraelite të luftës, si dhe pushtimin e Palestinës”, tha Foss.

Aktivistja norvegjeze që nga ardhja e saj në Palestinë ishte e pranishme në protestat në qytetin e Hebronit, gjatë të cilave ajo u arrestua nga forcat izraelite dhe pas gjashtë orësh u lirua me masën e ndalesës për hyrje në Bregun Perëndimor për dy javë. Pas skadimit të ndalesës, Foss u kthye në Bregun Perëndimor dhe mori pjesë në një numër të madh protestash.

Ajo tha gjithashtu se ushtarët izraelitë në dy raste e kanë plagosur duke e qëlluar me plumba plastike gjatë një proteste në zonën Kar Kaddum.

“Unë mendoj se ushtarët izraelitë duan të përdorin të gjitha metodat që përdorin normalisht mbi palestinezët. Jam qëlluar në stomak, ndërsa po filmoja me kamërë protestat. Siç mund ta shikoni në video, unë kam qenë larg nga protestuesit dhe nuk kamë paraqitur asnjë kërcënim”, ka thënë Foss.

Ajo shtoi se një javë më vonë u qëllua sërish nga një plumb plastike, këtë herë në këmbë.

“Ende ruaj plumbim që më qëlloi ushtari izraelit”, tha aktivistja e guximshme norvegjeze.

Ajo vuri në dukje se rajoni Han al-Ahmer, për të cilin Gjykata e Lartë e Izraelit miratoi rrënimin e vendbanimeve palestineze, është me rëndësi të madhe.

Sipas saj, në rast se rrënohet ky rajon, Izraeli automatikisht ka mundësinë e prishjes edhe të fshatrave të tjera palestineze.

“Në këtë mënyrë, Kudsi nga veriu dhe jugu do të humbasë lidhjen me Bregun Perëndimor dhe do të pamundësohet lëvizja e palestinezëve në rajon”, vlerëson Foss.

“E gjithë bota duhet të jetë këtu dhe të ndalojë gjithë këtë. Këtu është e nevojshme të vijë delegacioni i Bashkimit Evropian. Shpresoj që rrënimi do të ndalet, sepse ky rajon është me rëndësi strategjike për Izraelin dhe prandaj jam e sigurt se do të bëjë gjithçka për të arritur rrënimin e këtyre vendbanimeve”, paralajmëron Foss.