Aktakuzë për vrasjet e “të dielës së përgjakshme” në Irlandën e Veriut

Prokurorët në Irlandën e Veriut kanë ngritur një aktakuzë sot kundër njërit nga 18 ushtarët britanikë të cilët ishin të përfshirë në vrasjet e “së dielës së përgjakshme” në vitin 1972 në Londonderry, me akuzën për vrasje dhe vrasje në tentativë, raporton Anadolu Agency (AA).

Njoftimi u bë 47 vjet pas incidentiit i cili ndodhi më 30 janar të vitit 1972, atëherë kur ushtarët e regjimentit elitar Parashutist të ushtrisë britanike hapën zjarr në drejtim të njerëzve të cilët po parakalonin në një marsh për të drejtat e njeriut.

Prokurorët thanë se nuk ka prova të mjaftueshme për të ngritur akuza kundër 17 ish ushtarët tjerë.

Qyteti Londonderry, të cilin banorët e saj katolikë e quajnë Derry, ishte skenë e një masakre famëkeqe, në të cilën ushtarët hapën zjarr ndaj 27 njerëzve të paarmatosur, të cilët po protestonin për të drejtat e njeriut. Trembëdhjetë persona mbetën të vrarë në vendin e ngjarjes dhe një tjetër disa ditë më vonë, duke e çuar në 14 totalin e të vrarëve.

Vrasjet futën Irlandën e Veriut në një konflikt në të cilin u përfshinë qeveria britanike dhe paramilitarët pro-britanikë në njërën anë, dhe republikanët irlandezë dhe nacionalistët nga ana tjetër.

Zemërimi për “të dielën e përgjakshme” u përhap anembanë botës pasi skenat ishin regjistruar me pamje filmike, gjë e cila rezultoi me një valë rekrutimesh në Armatën Republikane Irlandeze (IRA).

Fillimisht, qeveria pretendoi se ushtarët i janë përgjigjur një zjarri nga ndërtesat e afërta, gjë e cila u mbështet ngë një hetim i quajtur “Raporti i Widgaryt”.

Megjithatë, pas një presioni shumëvjeçar nga familjet e viktimeve dhe të një hetimi 12 vjeçar për të “dielën e përgjakshme”, zbuloi se viktimat nuk kishin kërcënuar ushtarët.

Në qershor të vitit 2010, kryeministri britanik David Cameron lëshoi një kërkimfalje zyrtare për vrasjet në emër të qeverisë së tij, duke konfirmuar se të vrarët ishin të pafajshëm.

Marrëveshja e paqes, e cila u quajt Marrëveshja e së Premtes së Mirë rezultoi me fundin e epokës së dhunës në të cilën jetën e humbën 3.500 njerëz.