Aktakuzë për personat që votuan nga dy herë

Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur një aktakuzë ndaj dy personave në fshatin Dranoc të Komunës të Deçanit, të cilët votuan për të dytën herë.

Në komunikatë sqarohet gjerësisht e tërë rrjedha e procesit:

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve N.L. dhe N.L. për vepër penale “Keqpërdorimi i të drejtës së votimit” nga neni 216 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, të pandehurit N.L. dhe N.L. me datë 11.06.2017 rreth orës 10:00 në fshati Dranoc Komuna e Deçanit, me dashje, duke vepruar si bashkëkryerës, votojnë për të dytën herë edhe pse e kanë ditur se kanë votuar njëherë, ashtu që të pandehurit fillimisht kanë shkuar me dëshmitarin S.H. në qendrën e votimit në vendin e lartcekur dhe kanë votuar, pasi kthehen në shtëpi prapë shkojnë me dëshmitarin Sh.L. dhe përsëri votojnë në të njëjtën qendër të votimit.

Të pandehurit N.L. dhe N.L. me veprimet e tyre kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruara sikur më lart.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit t’i shpall fajtor dhe t’i dënoj sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barë.