Aktakuzë ndaj vëllait të hajnit që plaçkiti bankën në Istog, ku u vra polici Izet Demaj

Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur aktakuzë kundër U.M., për veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale vjedhje grabitqare sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri më datën 27 dhjetor 2018, në filialin e bankës NLB, në Istog, me dashje ka ndihmuar të pandehurin K.M. (tani i ndjerë), në kryerjen e veprës penale të vjedhjes grabitqare, pasi që paraprakisht kishin planifikuar në hollësi grabitjen e bankës.

Sipas marrëveshjes paraprake, i pandehuri K.M., merr një pushkë automatike ASH-78, një revole, një granatë dore dhe me pas ia bën me dije të pandehurit U.M., se është gati, i cili merr veturën e të pandehurit K.M., Golf-4, për ta drejtuar, ndërsa K.M. ulet në pjesën e pasme të veturës.

Ky i fundit gjatë rrugës për në Istog, maskon fytyrën, vesh xhaketën e zezë dhe sipër saj pallton me ngjyrë krem, ku me të arritur në Istog, në rrugën “Kadri Keqa”, pasi e fut granatën e dorës në xhepin e palltos, revolen në brez e pushkën automatike nën palltë, del nga vetura, ndërsa i pandehuri U.M. vazhdon rrugën në drejtim të bankës NLB, ku fillimisht e vëzhgon situatën, e pastaj kthehet për në fshatin Shushicë, në pritje për ta lajmëruar i pandehuri K.M. për të shkuar ta marrë atë.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.