Aktakuzë ndaj njëzet policëve

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër njëzet 20 zyrtarëve policorë.

“Sh.D., S.V., N.R., A.R., M.B., I.D., I.A., A.E., B.Z., B.Z., Q.B., A.G., A.R., S.N., Sh.G., Sh.Z., A.K., L.G., Sh.Z. dhe N.Z., akuzohen për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale marrja e ryshfetit në bashkëkryerje nga neni 428 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KP-së.

Sipas aktakuzës, të pandehurit në cilësi të personave zyrtarë duke vepruar në kuadër të autorizimeve zyrtare, në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe pranuar dhurata për vete në mënyrë që të mos veprojnë në pajtim me detyrën e tyre zyrtare”, thuhet në njoftim.

Të pandehurit, zyrtarë policorë në Njësinë e kontrollit të autostradave, pjesë e patrullës policore në kontrollimin e trafikut në autostradën “Ibrahim Rugova”, me qëllim nuk kanë shqiptuar tiketa të trafikut ndaj kundërvajtësve edhe pse kanë qenë të obliguar të shqiptojnë tiketa në bazë të ligjit për sigurimin e komunikacionit rrugorë, ndërsa, paratë e marra i kanë ndarë në mënyrë proporcionale.

Me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprën penale marrja e ryshfetit në bashkëkryerje nga neni 428 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KP-së./