Aksioni i Policisë në Prishtinë përfundon me arrestime masive

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion te lokalet në kompleksin “Lesna” në Prishtinë. Gjatë operacionit të Policisë, ku është përfshirë edhe Njësia Speciale janë bastisur 10 lokale, kurse 16 persona janë shoqëruar në stacionin policor. Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha. Po ashtu Hoxha ka thënë se gjatë operacionit janë konfiskuar edhe mjete të mbrehta, kurse në 6 lokacione janë konfiskuar edhe substanca narkotike. “10 lokacione janë bastisur, 16 persona janë shoqëruar për intervistim, janë konfiskuar disa mjete të mbrehta dhe në 6 lokacione janë gjetur substanca narkotike”, ka thënë Hoxha. Njoftimi i plotë: Sonte me datë 23.01.2019, nga ora 20:00, Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria rajonale e Policisë në Prishtinë, e mbështetur nga njësitet tjera të specializuara policore ka realizuar një plan operacional në funksion të zbatimit të ligjit dhe identifikimit të personave të dyshuar të involvuar në veprimtari të kundërligjshme. Kontrolli dhe bastisja është realizuar në disa lokacione afër rr. “Eqrem Qabej” në Prishtinë, dhe për objektiv ka qenë parandalimi i veprave penale si dhe identifikimi personave që janë të involvuar në veprime të kundërligjshme, ku përfshihen: posedimi i paautorizuar i substancave narkotike, armëve etj. Gjatë operacionit policor i cili është realizuar me urdhërese te organeve të drejtësisë ka rezultuar si në vijim: Janë bastisur 10 lokacione Janë shoqëruar në stacion policor 16 persona janw iniciuar 11 raste. Në 6 lokacione është gjetur substancë e dyshuar narkotike. Janë konfiskuar 6 thika, një shufër dhe një boks hekuri. Inspekcioni kompetent ka marr vendim për mbylljen e tri lokaleve. Operacione të tilla do të jenë të vazhdueshme nga Policia në mënyrë që të krijohet një ambiente më i sigurt për të gjithë.