Aksident i rëndë në autostradën “Arbën Xhaferi”, katër persona të lënduar

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në autostradën “Arbën Xhaferi” ku si pasojë kanë mbetur të lënduar katër persona.

Këtë për lajmi.net e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Ai ka thënë se në aksident kanë qenë të përfshira  tri vetura.

“Në autostradën ‘Arbën Xhaferi’ ka ndodhur një aksident trafiku, ku në bazë të informacioneve  të para dyshohet se janë të përfshira tri vetura me targa vendore”, ka thënë ai.

Kelani po ashtu ka bërë të ditur se të lënduar kanë mbetur katër persona, ndërsa dy prej tyre janë dërguar për tretman në QKUK.

“Si pasojë e aksidentit 4 persona kanë pësuar lëndime, prej tyre dy janë dërguar në QKUK. Në vendngjarje ndodhen njësitë relevante policore dhe prokurori”, ka bërë të ditur ai.

Ndërkohë, për momentin rruga është bllokuar, derisa njësitet kompetente të kryejnë procedurat policore.