AKR, kurrë koalicion me PDK-në

Aleanca Kosova e Re nuk do të bëjë asnjëherë koalicion me PDK-në. Disa lajme nëpër media janë shpifje, thuhet në një njoftim të AKR-së.

“AKR sqaron opinionin publik se do te garojë e vetme në zgjedhjet qendrore e komunale dhe asnjëherë nuk do të bëjë pazare politike në dem të qytetarëve të Kosovës”, vazhdon njoftimi, ku thuhet se kanë “vija të kuqe bashkëpunimi me të gjitha subjektet politike, e sidomos me partitë parlamentare të këtij mandati”.

Në një prononcim për Telegrafin, kryetar i AKR-së, Behgjet Pacolli, po ashtu ka demantuar zërat për marrëveshje me PDK-në për kandidatë të përbashkët – për zgjedhjet e ardhshme lokale – në Prishtinë, në Gjakove dhe në Mitrovice.

“Jo, nuk është e vërtetë kjo. Asnjëherë nuk kam pasur takim me asnjë anëtar nga PDK-ja”, ka thënë Pacolli.