Ahmeti tregon pse shkarkoi drejtorët e Vetëvendosjes nga Komuna

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka folur rreth shkarkimit të dy drejtorëve të LVV nga Komuna e Prishtinës.

Në një prononcim për media, ai tha se shkarkimi ka ardhur pasi që situata në relacion me Lëvizjen Vetëvendosje është bërë e paqëndrueshme dhe se ata kanë vazhduar me sulme të njëpasnjëshme.

“U bënë pesë muaj prej kur kam dërguar ofertën zyrtare me numrin më të madh të drejtorive për Lëvizjes Vetëvendosje me katër gjithsej, dhe iu kam thënë nëse shkon mirë ai bashkëpunim do ta emëroj edhe drejtorin e pestë. Mirëpo ata kanë vazhduar me sulme të përditshme dhe asamblistët nuk e kanë votuar asnjë propozim, por kjo s’është për t’u viktimizu”, ka thënë Ahmeti.

Ai tutje shtoi se LVV në Komunën e Prishtinës e kanë derën hapur kur janë gati për bashkëpunim, por që s’mund ta rrezikojnë komunën për inate personale.

“S’mund ta sakrifikojmë Prishtinën për shkak të inateve dhe egove personale. Vazhdojmë me realizimin e 100 pikëve. Yllin e kam emëruar si drejtor jo që ka ardhë nga Vetëvendosja, por nëse ai e sheh më të rëndësishme partinë se Prishtinën është vendimi i tij. Unë ia u kam dhënë çdo rast të punojmë. Nuk kam asgjë personale”.

Ahmeti kategorikisht tha nuk s’do të ketë koalicion me PDK-në.

“Absolutisht jo, mendoj që tashmë e kam bërë të qartë DHE nuk ka pas diskutime dhe s’do të ketë për koalicion me PDK-nw në Prishtinë”, tha i pari i Prishtinës.